KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, protesta kundër Gjykatës Kushtetuese
Protesta kundër gjykatës kushtetuese në Maqedoni

Maqedoni, protesta kundër Gjykatës Kushtetuese

Mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së Platformës për Politikë Qytetare “AJDE” e përkrahur nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë në opozitë në protestën lidhur me planin e Gjykatës Kushtetuese për të miratuar vendimin që i lejon presidentit të shtetit të falë të dënuarit për krime zgjedhore dhe vepra të tjera të rënda kriminale. Fillimisht protestuesit u mblodhën para godinës qeveritare për të vazhduar më pas përballë Parlamentit, ndërsa gjatë tërë rrugës brohoritën slogane kundër Gjykatësve të Kushtetuese. Veprimtari i njohur i të drejtave qytetare Petrit Saraçini në fjalën e tij para protestuesve kërkoi që të ndalohet nisma e cila u mundëson kriminelëve zgjedhorë, pedofilëve dhe narkotrafikantëve të falen për veprat e tyre. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të pesë gjykatësve të cilët thanë se kanë pushtuar Gjykatën Kushtetuese dhe veprojnë në bazë të diktatit politik të pushtetit.