KRYEFAQJA » LAJME » Protesta në Shkup, përplasje me policinë

Protesta në Shkup, përplasje me policinë

Protesta masive janë mbajtur në Shkup të hënën në mbrëmje në organizim të revolucionit shumëngjyrësh ndërsa kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e opozitës së bashkuar të udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate. Protestat që kanë zgjatur deri pak para mesnatës janë përshkruar me tensione të shumta. Policia ishte në shënjestër të protestuesve që hodhën sende të forta, në momentin kur ka ndaluar protestuesit të rrëzojnë një përmendore para Kuvendit të Maqedonisë. Protestuesit thyen xhamat e ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë dhe të disa objekteve të tjera qeveritare. Protestat kanë pasuar një ultimatum të shoqërisë civile, i cili ka skaduar të shtunën, drejtuar institucioneve për plotësimin e kërkesave të saj për krijimin e kushteve për prokurorinë speciale që të punojë pa pengesa në hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra të rënda penale, për mos ndjekjen e aktivistëve të saj si dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Pas injorimit të këtyre kërkesave nga qeveria, protestuesit kanë dalë me kërkesa të reja. Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska tha se qeveria i ka ditët e numëruara. Përgjegjësia për krimet e bëra dhe zgjedhjet e lira tha Sheqerinska janë alternativa e vetme për dalje nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet vendi. Nga ana tjetër janë mbajtur edhe kundër protesta të organizuara nga mbështetësit e qeverisë. Ata kanë protestuar para gjykatës penale, e cila kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak për një kryetar komune që po hetohet nga prokuroria speciale. Pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe para se gjithash puna e prokurorisë speciale, janë disa nga pikat për të cilat partitë politike nuk po merren vesh.