KRYEFAQJA » LAJME » Protesta tek Parku, PD dhe Policia bëjnë kallzime në prokurori
Protesta e Liqenit, gjykata vendos detyrimin e paraqitjes për të ndaluarit

Protesta tek Parku, PD dhe Policia bëjnë kallzime në prokurori

PD më e madhja e opozitës dhe Policia e Tiranës, kanë nxituar të martën në dyert e prokurorisë, për të bërë kallzime reciproke rreth ngjarjeve të së hënës tek Parku i Liqenit, ku palët u përplasën forcërisht gjatë një proteste të opozitës kundër ndërtimit të një këndi lojrash për fëmijë nga Bashkia e Tiranës.
Ka qenë fillimisht Partia Demokratike që ka kallëzuar në Prokurori drejtorin e Policisë së Tiranës dhe kreun e Policisë Bashkiake të Tiranës, sipas saj për dhunën e ushtruar ndaj deputetëve dhe përfaqësuesve të PD në protestën kundër betonizimit të parkut, nga forcat speciale, policia e Tiranës, reparti “Shqiponjat” dhe policia bashkiake. Sipas PD dhuna u ushtrua e ndaj deputetëve e përfaqësuesve të PD si dhe ndaj qytetarëve e protestuesve të tjerë, disa prej të cilëve u dërguan në spital për t’u mjekuar. Në kallzimin e PD bëhej e ditur se disa përfaqësues të PD, përfshirë edhe kreun e PD për Njësinë 5 në Tiranë Ndriçim Babasi, u arrestuan dhe u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për pjesëmarrje në tubime të paligjshme e kundërshtim të policisë.
Nga ana e saj Policia e Tiranës ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorit të Përgjithshëm, për 9 deputetët cilët sipas policisë tentuan dhe çanë me forcë kordonin e Policisë Bashkiake e të Policisë së Shtetit. Policia thotë se ata kanë kryer veprime të dhunshme, ç’ka ajo i ka dokumentuar me prova filmike, raporte shërbimi si dhe dëshmi të tjera. Policia e Tiranës nënvizon se nga dhuna e ushtruar nga deputetët dhe protestuesit, u dëmtuan dhe po marrin mjekim në spitalin e Traumës, 3 punonjëse të Policisë Bashkiake. Veprat penale ndaj 9 deputetëve janë “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Në krye të kallzimit është emri i deputetit Gent Strazimiri, i cili akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.