KRYEFAQJA » LAJME » Protestë kundër bunkerit
Protestë kundër bunkerit

Protestë kundër bunkerit

Disa dhjetra ish- të përndjekur politikë të regjimit komunist në Shqipëri, protestuan të hënën në mesditë përpara Ministrisë së Brendshme, kundër ndërtimit të një bunkeri të vendosur pranë këtij institucioni. Autoritetet thonë se bunkeri do të jetë porta e një strehimi anti atomik të përdorur nga udhëheqja komuniste dhe do të hapet së shpejti si objekt për vizitorët vendas dhe të huaj, për të sjellë atmsferën e kohës. Por ish të përndjekurit thonë se ai është një simbol i regjimit komunist dhe nuk duhet lejuar. Me thirrjet “Poshtë Komunizmit”, “Liri Demokraci”, protestuesit kërkuan largimin e qeverisë së kryeministrit Rama. Ka patur momente tensioni dhe konfrontimi mes protestuesve dhe forcave të policisë që po ruanin objektin. Në protestë merrnin pjesë edhe deputetë të PD dhe opozitës.
Ndërkaq në një zhvillim të orëve të fundit, PD akuzoi qeverinë se kishte rrethuar selinë e opozitës me dhjetra policë pas protestes së ish të përndjekurve. Kreu i PD Lulzim Basha në një dalje për mediat akuzoi kryeministrin Rama se po synon të frikësojë dhe të terrorizojë demokratët. “Edi Rama mund të urdhërojë policë të rrethojnë godinën e Partisë Demokratike, shtëpinë e madhe të opozitës e qytetarëve, por kurrë nuk do t’ia dalë të shtojë as një orë dhe asnjë ditë të pushtetit të tij, në këtë mënyrë. Përkundrazi po shpejton fundin e tij të pashmangshëm” tha zoti Basha.