KRYEFAQJA » LAJME » PS e PD përjashtojnë bashkëqeverisjen
PS e PD përjashtojnë bashkëqeverisjen

PS e PD përjashtojnë bashkëqeverisjen

Ndryshimet e mundshme të aleancave politike në Shqipëri, janë ndër temat më të rrahura aktualisht në mediat shqiptare. Më së shumti  është komentuar rreth mundësisë së shkrirjes së aleancës PS-LSI aktualisht në pushtet dhe bashkimi në qeverisje i dy kundërshtarëve më të mëdhenj të politikës shqiptare PS dhe PD. Jo pak komente ka patur edhe rreth mundësisë së rikthimit të aleancës së njohur PD-LSI.
Por duket se krerët e këtyre partive kanë vendosur gati në të njëjtën ditë t’u japin fund hamendjeve.
Kreu i egzekutivit, njëkohësisht kreu i PS Edi Rama, në një intervistë dhënë të përditshmes “DITA”, e ka quajtur të pavërtetë lajmin për bashkëqeverisjen me opozitën në funksion të një ndryshimi në konfigurimin politik të qeverisjes. “Unë nuk e di se çfarë mund të pritet më shumë nga një marrëdhënie partneriteti, e cila në zgjedhjet vendore riprodhoi mbështetjen e 1 milionë votave të zgjedhjeve politike të dy viteve më parë” tha zoti Rama.
Ndërkaq ka reaguar edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Në një bashkëbisedim me gazetarët ai shtryi pyetjen: “A është Partia Demokratike e gatshme të bëjë koaalicion për hir të pushtetit dhe karrigeve? Përgjigja është JO. Por është gati të bëjë betejë pa asnjë kompromis me krimin dhe korrupsionin” .
Pavarësisht këtyre deklaratave përjashtuese nga të dy kampet, mjaftë analistë vlerësojnë nevojën e bashkëpunimit midis PS dhe PD për çështje të rëndësishme sikurse është reforma në drejtësi. Kjo është jo vetëm këshillë e komunitetit ndërkombëtar, por edhe kusht për integrimin e vendit në BE.