KRYEFAQJA » LAJME » PS, në kongres me statut të ndryshuar
PS, në kongres me statut të ndryshuar

PS, në kongres me statut të ndryshuar

Partia Socialiste në pushtet, forca më e madhe politike në Shqipëri, po shkon drejt kongresit të saj të 19 marsit me ndryshime të rëndësishme statutore. “Ka një sërë rrethanash që e bëjnë të nevojshme ndryshimin e statutit të ri të PS. Është reflektim dhe i problematikave të shfaqura dhe gabimeve të bëra” tha për mediat Fatmir Xhafaj, deputet dhe kryetar i Komisionit për Reformën Statuore. Një ndër ndryshimet e rëndësishme është çështja zgjedhjes së kryetari të PS. Sipas zotit Xhafa, kryetari i PS-së do të vazhdojë të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë, por duke bërë specifikim të rastit kur partia është në opozitë dhe kur është në qeverisjen.
Zgjedhja e kryetarit është vënë në qendër të debatit mes zotit Rama dhe disa prej kundërshtarëve të tij brenda partisë. Më i spikaturi prej tyre është deputeti socialist Ben Blushi. Ai ka kritikuar zotin Rama se nuk ka zbatuar statutin e partisë, sipas të cilit zgjedhja e kryetarit duhet bërë çdo katër vjet. Por zoti Rama ka deklaruar se fitoret e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013 dhe ato lokale të 2015 nga ana e koalicionit të udhëhequr nga PS, kanë konfirmuar qenien e tij në krye të kësaj partie. Ai ka thënë gjithashtu se socialistët shqiptarë po ndjekin shembullin e laburistëve britanikë, të cilët e ndryshojnë kryetarin kur partia humbet zgjedhjet. Por deri në miratimin e këtij ndryshimi statutor, zoti Blushi dhe përkrahësit e tij brenda partisë po këmbëngulin tek statuti në fuqi. Por  zoti Blushi ka shkuar edhe më tej. Ai ka deklaruar se do të sfidojë zotin Rama për kreun e PS. Nga zhvillimet e deritanishme dhe kur kongresi pritet të mbahet pas tre javësh, mundësia e ballafaqimit me vota Rama – Blushi, ka shumë pak gjasa të ndodhi. Por me interes pritet ballafaqimi i opinioneve të tyre për zhvillimet e deritanishme.