KRYEFAQJA » LAJME » PS përjashton deputetin e arrestuar
PS përjashton deputetin e arrestuar

PS përjashton deputetin e arrestuar

Partia Socialiste ka reaguar me mjaftë ashpërsi ndaj deputetit të saj Armando Prenga, pas përfshirjes së tij në konfliktin që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Laç dhe arrestimit në flagrancë nga policia. Në një deklaratë për mediat, deputetja Olta Xhaçka tha se PS dënon ashpër ngjarjen e turpshme dhe se Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale për të qenë pjesë e kësaj force. “Me përgjegjësinë e plotë politike dhe publike Partia Socialiste dhe qeveria jonë e kanë shpallur të mbyllur kapitullin e shëmtuar të historisë së pandëshkueshmërisë, qysh në ditën e parë të mandatit tonë qeverisës” tha zonja Xhaçka. PS përshëndeti Policinë e Shtetit, për sjelljen e saj në këtë ngjarje. “Me ndalimin, pa asnjë lloj dallimi, të asnjë natyre, të kujtdo që u gjet i përfshirë në këtë ngjarje të shëmtuar, Policia e Shtetit tregoi qartë se forca e ligjit është për të mbi çdo forcë politike apo imunitet politik” tha zonja Xhaçka.
Ndërkaq ajo kujtoi se dy figurat e opozitës Basha dhe Berisha, “prej kohësh duhet të kishin dhënë llogari përpara organeve të drejtësisë për shumë më tepër shkelje të ligjit, se sa ato prej të cilave duan sot të nxjerrin kapital politik”. Në emër të PS ajo i bëri thirrje prokurorisë “që të mos ndalet deri në zbardhjen dhe ndëshkimin e plotë të veprave penale të konsumuara në katrahurën e Laçit, të gjejë forcën morale dhe profesionale të hetojë deri në fund edhe Lulzim Bashën apo Sali Berishën veprat penale të të cilëve janë konsumuar ditën për diell, si edhe një sërë ministrash apo ofiqarësh të qeverisë Berisha, dosjet e të cilëve duhet të dalin nga sirtarët e prokurorisë”. “Koha kur bodigardët e Çunit të Kryeministrit plagosnin me plumb kamerierë në mes të lokalit dhe policia u mbyllte gojën dëshmitarëve, apo kur nipat e kryeministrit punonjës policie shkrehnin kallashnikovët të dehur në mes të bulevardit, dhe axha kryeministër i fshihte në kryeministri derisa policia të bënte letrat, ka vdekur e nuk ka shans të rikthehet” tha deputetja e PS Olta Xhaçka.