KRYEFAQJA » LAJME » PS: Sjellja e deputetëve të opozitës ngjarje e shëmtuar
PS: Sjellja e deputetëve të opozitës ngjarje e shëmtuar

PS: Sjellja e deputetëve të opozitës ngjarje e shëmtuar

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka dënuar sjelljen e deputetëve të opozitës në seancën parlamentare të së enjtes dhe ka kërkuar pezullimin për dhjetë ditë të tre prej tyre. Në një letër drejtuar kreut të parlamentit, ky grup “ndjehet i keqardhur për ngjarjet e shëmtuara të ndodhura sot në sallën e seancave plenare nga deputetët e Partisë Demokratike”. “Të gjithë shqiptarët e panë se si fajtorët për keqqeverisjen 8-vjeçare të Shqipërisë dhe shqiptarëve bllokuan punimet normale të Parlamentit me të gjitha mjetet jo ligjore dhe aspak parlamentare madje duke përdorur hedhje te sendeve apo vezëve ne drejtim të Kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar” vlerësohet në letrën e grupit parlamentar socialist.
Bazuar në rregulloren e kuvendit, Grupi Parlamentar i PS i ka kërkuar kryetarit të tij të mbledhë urgjentisht Byronë e Kuvendit, për të shqyrtuar kërkesën për përjashtim nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione deri në 10 ditë për deputetët e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike:  Genti Strazimiri,  Albina Dede,  Bedri Hoxha. Sipas socialistëve “Këta deputetë, në mënyrë të paprecedentë kanë qëlluar me vezë Kryeministrin dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave si dhe kanë përdorur fjalë fyese, jo etike, shumë të rënda dhe aspak të denja për fjalorin parlamentar ndaj tyre”. “Kjo sjellje e padenjë e tyre, shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka shkaktuar rrëmujë dhe kaos në mjediset e sallës plenare duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare” nënvizohet në letrën e grupit parlamentar socialist.