KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Punimet tek “Shtëpia e gjetheve”
shtepia e gjetheve, muze, koha e komunizmit

Punimet tek “Shtëpia e gjetheve”

Dëshmia se ndërtesa në vitin 1931 ka qenë çelur si klinikë mjekësore, më saktë maternitet, janë të dukshme edhe sot që në hyrje. Por sapo vë këmbën aty të rrënqeth paradoksi i funksioneve që kjo ndërtesë, Shtëpia e Gjetheve, mori në kohë, duke i devijuar së mirës fillestare, sikurse dhe shpirti kontradiktor njerëzor.

Duke përshkruar korridoret e saj të gjatë e të shumtë si labirinthe herë me dritë e herë të errët apo edhe me ngjyra, gjen aty jehonat e sfilitjeve prej torturave të Gestapos gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasuar nga torturat komuniste prej vitit ’50 deri në vitin ’90, por aq edhe britmat e lindjeve të jetëve të reja, kur pati zanafillën si maternitet.

Por gjen edhe kasaforta, kolltukë, karrige, por mbi të gjitha hekura e hije fantazmash të së shkuarës, që rënkojnë e kumtojnë dhimbshëm në heshtje.

Duket sikur po heshtet për idenë e shndërrimit të saj në Muze të Përgjimeve, përmendur një vit e gjysmë më parë, por në fakt nuk është ashtu siç mund të na përngjajë përballë fasadës së mistershme, mbuluar nga gjethet.
Në Muzeun e Përgjimeve gjithcka do të kthehet në gjendjen e mëparshme; me hapësira për përgjimet dhe spiunimet elektronike, për laboratorin teknik dhe shkencor të quajtur “Panopticon dhe Panacusticon”, që merrej me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete. Një tjetër hapësirë do të tregojë një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve 70’. Ndërkohë që gjithë projekti është parashikuar se do të kapë shifrën e 970 mijë eurove, këto fonde publike, private apo ndërkombëtare, deri tani është shpenzuar gati gjysma e tyre dhe vetëm nga shteti shqiptar.