KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Putin mban sot fjalimin vjetor

Putin mban sot fjalimin vjetor

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nisur fjalimin e tij vjetor në një sesion të përbashkët të parlamentit dhe qeverisë në Kremlin, dukë folur për ekonominë, çështjet sociale dhe politikën e brendshme. Putin tha se Rusia është e gatshme të tejkalojë vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohet, duke shtuar se” Ne jemi një popull, i bashkuar”. Ai foli për përmirësimet në shërbimet mjekësore, por tha se “problemet në kujdesin shëndetësor mbeten”. Putin po ashtu tha se situata demografike e vendit vazhdon të përmirësohet dhe se popullsia ruse po rritet më shpejt se në shumë vende të Evropës. Putin shtoi se vendi i tij do të ngrihet për interesat e veta, por nuk ka qëllim të përfshihet në ndonjë konflikt me vendet e tjera. “Nuk kërkojmë armiq, duam miq”, tha Putin. Ai po ashtu tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në “në baza të barabarta”. Komentet vijnë në kohën kur marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin janë më të këqijat që nga koha e Luftës së Ftohtë. Rusia po lufton për dalje nga recesioni, i shkaktuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe sanksionet që i ka vënë Perëndimi për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë. Adresimi i Putinit është i mandatuar me Kushtetutën e Rusisë, e cila kërkon që presidenti të raportojë çdo vit për gjendjen aktuale në vend dhe prioritetet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme.