KRYEFAQJA » LAJME » Qendër e re Shëndetësore për 6 mijë banorët e Gradishtës në Divjakë
Qendër e re Shëndetësore për 6 mijë banorët e Gradishtës në Divjakë

Qendër e re Shëndetësore për 6 mijë banorët e Gradishtës në Divjakë

Nga sot, afro 6 mijë banorë të Gradishtës në Bashkinë e Divjakës do të mund të marrin shërbimin shëndetësor Parësor pranë zonës së tyre të banimit. Në saj të bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë, Shoqatës “Gjysmë Hëna e Kuqe” dhe Bashkisë së Divjakës u bë i mundur ndërtimi i një Qendreje Shëndetësore bashkëkohore dhe moderne.

Ministri Beqaj u shpreh se investimet në infrastrukturë ndihmojnë në përformancën më të mirë të mjekëve:
“Është një ndihmë për komunitetin, na mundëson neve t’ju shërbejmë më mirë, i mundëson mjekët dhe infermierët të mund të shprehin më të mirën e tyre, dhe unë besoj, se gjithë reformat e ndërmarra këto tre vjet, që sigurisht kanë patur kostot e tyre, ka ardhur momenti që qytetarët ti prekin rezultatet, dhe unë besoj se edhe ajo çfarë qeveria vendosi që të shpërblejë më mirë financiarisht mjekët dhe infermierët vitin e ardhshëm, është edhe një shenjë mirënjohje jo vetëm punën që bëjnë, por edhe për mbështetjen që i kanë dhënë reformave”.

Qendra është e pajisur me dhomat e konsultorit të nënës dhe fëmijës, e cila siguron mbulimin me vaksinim të afro 900 fëmijëve, si dhe vizitat e grave shtatzënë, me dhomën e injeksioneve dhe ndihmës së parë e kompletuar me pajisjet e reja. Në shërbim të banorëve të kësaj zone do të jenë 2 mjekë dhe 7 infermierë.