KRYEFAQJA » LAJME » Qendra e re administrative e Tiranës, Rama e Veliaj vendosin gurët e parë

Qendra e re administrative e Tiranës, Rama e Veliaj vendosin gurët e parë

Qendra administrative e Tiranës do të ndryshojë. Lajmin i cili ka kohë që ka qarkulluar, e ka përforcuar kreu i Bashkisë Erion Veliaj. Në ceremoninë e vendosjes së pllakës së parë në Bulevardin e ri të Tiranës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, zoti Veliaj e konsideroi projektin si polin e ri të Tiranës moderne të vitit 2030. Sipas tij kjo zonë do të shërbejë për selitë e ministrive, ambasadave dhe institucioneve të tjera të rëndësishme. Madje edhe Bashkia e Tiranës do të zhvendoset në këtë zonë. “Sot është një moment ku ne festojmë këtë ringritje të Tiranës, ku pas 5 viteve pause në 500 ditë kemi ecur me shpejtësi dhe sot jam i lumtur që bashkë me kryeministrin do vëmë dy pllakat e para simbolike. Poli i ri i Tiranës moderne 2030. Kjo do të jetë një hapësirë zhvillimi. Ku ta gjejmë të kemi kulla të hoteleve me 5 yje. Sot kemi grup ambasadash që duan të transferohen këtu. Bashkia e re e Tiranës do të zhvendoset në Bulevardin e Ri” tha zoti Veliaj.
Nga ana e tij kryeministri Rama gjeti rastin të mbështeste kreun e bashkisë, por edhe të përshëndeste zgjedhësit që sipas tij me votën e tyre vendosën drejtimin e duhur. “…këtu jemi sot në një truall që është dëshmia e … faktit se çfarë në fakt njerëzit vendosin me votën e tyre. Nëse vota shkon në drejtim të gabuar ose në drejtimin e duhur” tha zoti Rama. “Tirana mund ta kishte pasur këtë bulevard sot, sheshin Skënderbej, nuk mund të ishte sot në vitin 2017 një kryeqytet që ende nuk ka arritur të mishërojë një vizion të 87 viteve më parë, kur dy arkitekt vizionarë të thirrur nga mbreti Zog projektuan këtë segment fantastik dhe unikal që e bën Tiranën të veçantë dhe që i krijon kushte organizmit të saj që të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme. Për shkak të votës gjërat nuk shkuan siç duhet të shkonin, e për shkak të votës Tirana humbi vite” kujtoi zoti Rama betejen me ish kreun e bashkisë Lulzim Basha. “Po për shkak të votës Tirana, sot jo vetëm është rivënë në lëvizje, po është rivënë me një shpejtësi të re, falë lidershipit të kryetarit të bashkisë” shtoi kryeministri Edi Rama.
Opozita dhe ish kryetari i bashkisë Lulzim Basha, vazhdimisht kanë akuzuar qeverinë dhe drejtpërdrejt kryeministrin Rama se pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, me sjelljen e tyre kanë penguar me qëllim zhvillimin e Tiranës. Zgjatimi i Bulevardit Zogu i Parë ka qenë një prej tyre.