KRYEFAQJA » LAJME » Qentë endacakë, Veliaj: Të ndahen kompetencat Bashki-Qeveri
qen-rruge-

Qentë endacakë, Veliaj: Të ndahen kompetencat Bashki-Qeveri

Projekti i Bashkisë së Tiranës për reduktimin natyral të numrit të qenve të rrugës duket se po jep rezultat. Sot në kryeqytet ka 1500 qen endacakë më pak në krahasim me 5 vite më parë, sipas të dhënave të Bashkisë. Për kryebashkiakun Erion Veliaj rastet e incidenteve me qentë e rrugës nuk duhet te kthehen në histeri kolektive. “Para se të kërkojmë që qentë të sillen si njerëzit, është shumë e rëndësishme që të kërkojmë që njerëzit të sillen si njerëzit. Nëse raporti është 100/1, pra ka 100 raste të dhunës së njeriut ndaj njeriut, për çdo rast të një incidenti të një kashfe me një njeri, duhet të kemi parasysh këto fakte para se të reagojmë. Për herë të parë pas 5 vitesh nuk po rritet më popullsia e qenve. Është reduktuar me 1500 numri i qenve në Tiranë.” Veliaj kërkoi edhe një ndarje të qartë të kompetencave të qeverisë dhe bashkisë, duke iu referuar faktit se kafshët me pronarë janë kompetencë e Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa ato endacakë kompetencë e qeverisjes lokale. “Duhet të dallojmë pak kompetencat e Bashkisë me ato të zhurmave dhe mjedisit. Ka një Inspektoriat Mjedisi të Qeverisë që merret me ndotjen akustike, zhurmën. Pra është një kompetencë e Inspektoriatit të Qeverisë qëndrore dhe jo e Bashkisë. Duhet të ndahen këto kompetenca. Ndaj duhet t’u kërkojmë ministrave respektivë, por dhe Ministrit Çuçi që këto kompetenca të kalojnë në krahun e Bashkisë. Një kompetencë e ngjashme është dhe kjo e qenve. Të gjithë kafshët me pronarë, lopë por dhe qen që kanë një pronar janë kompetencë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Shërbimit Veterinar. Kompetenca e Bashkisë është vetëm për kafshët e rrugës. Do kërkojmë që në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë që e ka këtë kompetencë ne të aplikojmë disa rregulla shumë më të forta, sidomos ata që kafshët i blejnë për t’i abuzuar, për t’i çuar në ndeshje me kafshë, ose sjellje vulgare dhe të dhunshme si ato që kemi parë. Qeveria qëndrore duhet të zgjidhë disa nga këto probleme dhe të transferojë disa kompetenca, qoftë për ndotjen akustike, ndotjen mjedisore. E dini mirë se çfarë problemi kemi në Tiranë me zgarat dhe qoftet që marrin ga Inspektoriati i Mjedisit një leje dhe Bashkia e Tiranës është e paralizuar të veprojë në raste të tilla.” Këto deklarata kryebashkiaku i bëri pas konferencës të shëndetit të kafshëve të rrugës që u mbajt në Tiranë, ku u vlerësua edhe projekti që po zbaton Bashkia e Tiranes. Në krye të 5 viteve përmes këtij projekti parashikohet të ulet ndjeshëm numri i qenve të rrugës.