KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria: 5 reforma për financim në 2017

Qeveria: 5 reforma për financim në 2017

Qeveria e ka cilësuar buxhetin e 2017 si buxhetin e financimit të reformave. Në një relacion të detajuar për projekt/buxhetin e vitit 2017 listohen 5 reforma për financim:  Reforma për menaxhimin e financave publike, reforma në sektorin e ujit, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, dhe reforma për kompensimin e pronës.

Nga të gjitha këto reforma, pjesën më të madhe të financimit e mban ajo e drejtësisë që kërkon mbështetje të posaçme financiare në një hark kohor shumëvjeçar. “Për këtë qëllim, duke filluar që në vitin 2017, qeveria ka programuar një fond të posaçëm prej 500 milionë lek që do të financoje institucionet e reja të krijuara nga miratimi i një pjese të paketës së reformës në drejtësi” bëhet e ditur në relacion. Ndërkohë që në vitet që pasojnë financat parashikojnë që fondi të rritet gradualisht deri 1.8 miliardë lek në 2019.

Një tjetër reformë që kërkon mbështetje buxhetore sipas financave është ajo në fushën e administratës publike, në thelb të së cilës qëndron politika e rritjes së pagave të punonjësve buxhetore e publik. Në relacion thuhet se përfitues llogariten 81 mijë punonjës buxhetorë dhe rreth 29 mijë punonjës të tjerë, si mjekë, infermierë dhe punonjës mësimorë të universiteteve publike.

Politika e rritjes së pagave bëhet e diferencuar duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike si dhe pagës së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit. Më konkretisht, kjo politikë realizon rritjen e pagës bazë minimale me 36.3  përqind ose me 8 000 lekë/muaj.

Njëkohësisht në 2017 parashikohet dhe reforma për kompensimin e pronës. Financat vënë në dispozicion të kompensimit të ish pronarëve 3.8 miliardë lekë. Ndërkohë që në total për 10 vitet e ardhshme fondi shkon në 50 mld lekë. Po ashtu, vitin tjetër pritet reformë në sektorin e ujit dhe do të vijoje reforma në menaxhimin e financave publike.