KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria aktivizon “pronat e fjetura shtetërore”
Qeveria aktivizon "pronat e fjetura shtetërore"

Qeveria aktivizon “pronat e fjetura shtetërore”

Qeveria shqiptare po synon të aktivizojë ato që ajo i konsideron “prona të fjetura shtetërore”. Në qytetin e Bulqizës Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ka vizituar një fabrikë për prodhimin e peletit për ngrohje. Fabrika është ndërtuar në një sipërfaqe të pashfrytëzuar prej 12,200 m2, i cili i është dhënë me qera 1 euro kompanisë Lubima SHPK. Kompania ka investuar 2.2 milionë euro për ndërtimin e fabrikës. “Kjo pronë shtetërore e pashfrytëzuar ndër vite falë mbështetjes të qeverisë përmes qirasë simbolike 1 euro është kthyer në një model nga ku prodhohet material ngrohje dhe aktualisht janë punësuar 30 persona. Sipas planit të biznesit dhe kontratës, deri në fund të investimit punësimi do të arrijë mbi 60 persona. Është një shembull suksesi dhe vlen për tu theksuar se kur iniciativa e sipërmarrjes mbështetet edhe nga bashkia për ta bërë të lehtësuar praktikat proceduariale të kësaj iniciative, investimi arrin të japë rezultatet e tij të para. Kjo iniciativë filloi në Korrik të vitit 2015 dhe sot kjo fabrikë që jo vetëm prodhon dhe punëson, por ka nënshkruar edhe kontratat e para të shitjes në Shqipëri dhe jashtë saj” tha zonja Ekonomi mjaft e kënaqur. Kjo kontratë qiraje me 1 euro, theksoi ministrja Ekonomi, është e 22-ta që qeveria ka dhënë për këtë periudhë.
Biznesmeni Luan Manjani, tha se “ndërkohë që investimi ka shkuar në përmasa të mëdha ne duam ta zgjerojmë akoma edhe më shumë këtë aktivitet duke rritur prodhimin e si pasojë do të na duhet të shtojmë edhe fuqinë punëtore duke ulur papunësinë në Bulqizë. Çdo lloj ndihme në formë subvencioni nga shteti do të ishte një mbështetje tjetër për ne” shtoi ai. Ideja e ngritjes së fabrikës së prodhimit të pelletit ka ardhur së bashku me përdorimin e një teknologjie bashkëkohore që vjen nga një vend fqinj europian siç është Italia. Ngrohja me pellet po ofrohet gjithnjë e më shumë si një mundësi ekonomike për ngrohje në periudhën e dimrit në Shqipëri. Ajo vlerësohet si një alternative më ekonomike dhe ekologjike në krahasim me aklternativat e tjera, energji elektrike, dru, gaz, karburant etj.