KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria jep 50 miliardë lekë për kompensimin e pronave
Vlerësohet pozitivisht ligji i pronave

Qeveria jep 50 miliardë lekë për kompensimin e pronave

Qeveria shqiptare ka bërë publike faturën financiare që do të shpenzojë për të zgjidhur çështjen e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, një nga më të komplikuarat gjatë viteve të tranzicionit post komunist.
“Projektligji vë në dispozicion të pronarëve për herë të parë një vlerë financiare prej 50 miliardë lekësh, që do të thotë rreth 10 herë më e madhe se fondi financiar në 10 vitet e fundit”, tha drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato.
Burimi i financimit vjen kryesisht nga të ardhurat e përgjithshme të buxhetit si pjesë e integruar e tij. Veç fondit financiar, agjencia ka në dispozicion edhe një fond fizik, vlera totale e të cilit llogaritet rreth 85 miliardë lekë. “Ka ende tokë bujqësore për tu identifikuar dhe për tu vënë në dispozicon të këtij fondi fizik, sikurse pjesë e tij do të jenë dhe vendimet e Agjencisë së Trajtimit të Pronës” tha zonja Qato.
Agjencia ka 26 mijë kërkesa për kompesim, të cilat pretendojnë rreth 75 mijë hektarë tokë. Por për opozitën përmes këtij ligji qeveria nuk u jep pronarëve atë që meritojnë.“Në këto rrethana ndërhyrja nga ana e qeverisë duke mënjanuar vlerën e tregut si kriter të vlerësimit dhe duke referuar statusin e pronës në momentin që lidhet me të, në momentin e shpronësimit pra, në kohën e regjimit komunist, sigurisht që largon shumë vlerën reale, nga e drejta për të përfituar nga prona që u shpronësua në mënyrë ilegjitime kësaj shtrese shoqërore”, tha deputeti demokrat ish ministri financave Ridvan Bode.
Zjgidhja e problemit të pronave ështe edhe një nga kushtet e BE për integrimin e vendit.