KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria në Kosovë vazhdon të këmbëngulë për regjistrimin e popullsisë në veri
regjistrimi

Qeveria në Kosovë vazhdon të këmbëngulë për regjistrimin e popullsisë në veri

Qeveria e Kosovës është e gatshme të ulet në bisedime me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe drejtuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të arritur një marrëveshje lidhur me nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në këto katër komuna. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, i cili ka theksuar se procesi i regjistrimit të popullsisë në komunat veriore duhet të nisë së shpejti, por pa saktësuar ndonjë afat të caktuar kohor. Abdullahu ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet t’i ketë të dhënat e sakta lidhur me numrin e popullatës nëpër komunat veriore, në mënyrë që shpërndarja e të mirave buxhetore dhe të mirave të tjera të shpërndahet në përputhshmëri me numrin e tyre. Në mënyrë që procesi i regjistrimit të jetë i mundur, nevojitet rishikimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë, në të cilin do të duhej të parashihet formimi i një Komisioni të veçantë, i cili do t’i koordinojë aktivitetet në komunat e veriut. Nevojën për miratimin e një ligji të tillë, përveç institucioneve të Kosovës, e ka theksuar edhe Komisioni Evropian. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe vlerësojnë se pas shqyrtimit të ligjit me kryetarët e komunave në veri, si dhe me përfaqësuesit e serbëve në nivelin lokal dhe qendror, nuk janë krijuar kushtet për zbatimin e një procesi të regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është mbajtur në vitin 2011, por ai proces u bojkotua nga komunat në veri të Kosovës për faktin se atë proces e kishin organizuar institucionet e Kosovës.