KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria Rama miraton projekt-ligjin për krijimin e regjistrit të emigrantëve
Qeveria Rama miraton projekt-ligjin për krijimin e regjistrit të emigrantëve

Qeveria Rama miraton projekt-ligjin për krijimin e regjistrit të emigrantëve

Qeveria Shqiptare miratoi të hënën projekt-ligjin për krijimin e regjistrit të emigrantëve. Lajmi u bë i ditur nga dy prej ministrave kryesore të qeverisë Rama, ministri i brendshëm Saimir Tahiri dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Zoti Tahiri tha me këtë rast se projekt-ligji “Ka një rëndësi thelbësore, pasi i jep mundësi qeverisë të njihet realisht me numrin e emigrantëve, të njihet me vendndodhjet e tyre, si edhe me problematikat që ata kanë, duke na dhënë mundësi të hartojmë politika edhe për ta”. Sipas tij hartimit të regjistrave dixhital për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit, do tu krijojë mundësia atyre të marrin pjesë në votime. “Ligji hedh bazat për të gjithë gamën e shërbimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe hapin e parë për garantimin e së drejtës së votës” tha ministri i brendshëm.
Për shefin e diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati projektligji është mundësi e mirë që qeveria t’i kthejë borxhin emigrantëve. “Prej vitesh emigrantët përpiqen të japin kontributin e tyre në vendin tonë. Politika duhet ta rikthejë këtë ndihmë përmes politikave dhe njohja me këto e emigrantëve përmes votimit është mjaft e rëndësishme në këtë drejtim. Jemi të bindur se kuvendi do ta pranojë këtë nisëm” tha zoti Bushati. Sipas tij krijimi i regjistrave dixhital do të mundësojë konsullatat të japin shërbim për të gjithë shtetasit tanë jashtë vendit dhe kështu eliminon abuzimet” spjegoi më tej ai.
Çështja e votimit të emigrantëve shqiptarë ka qenë një temë mjafte e debatueshme në Shqipëri veçanërisht në kohën e fushatave zgjedhore. Gati të gjitha forcat politike kanë bërë premtime të shumta, por hapi i fundit i hedhur nga qeveria Rama është më seriozi. Sipas të dhënave zyrtare në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri numërohen mbi 4.4 milionë banorë të regjistruar. Mendohet që rreth 30 përqind e tyre jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve shtetërorë.