KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria shqiptare firmos marrëveshjen me BERZH; Rama: Moment historik
Ndalohet personi që ka kërcënuar me letra kryeministrin

Qeveria shqiptare firmos marrëveshjen me BERZH; Rama: Moment historik

Qeveria shqiptare dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) firmosën sot në Tiranë, marrëveshjen në mbështetje të financimit të agrobiznesit shqiptar. Kryeministri Edi Rama duke i uruar mirëseardhjen në Tiranë Presidentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sir Suma Chakrabarti, u shpreh se, vizita e tij sot vjen me forcën e një mandatit të ri që Chakrabarti ka rimarrë në krye të BERZH, dhe me kurorëzimin e një marrëveshje për sektorin me jetik për vendin. Sot për fshatin do të vij një fazë e re zhvillimi, tha kryeministri Rama, pasi do t’i jepet më shumë mbështetje sektorit bujqësor, përmes këtij projekti që do të japë më shumë mundësi të gjithë atyre që do duan të investojnë në fshat. Rama ka ritheksuar edhe një herë vendosmërinë e qeverisë për të shkuar përpara me reforma, sipas tij, të munguara në 20 vitet e fundit për të shkuar nga bujqësia e lëmoshës në atë të zhvillimit të qëndrueshëm. “Ky investim do të jetë një shtysë e rëndësishme për ta çuar sektorin fshatit në një fazë të re. Nga njëra anë ne s’kemi asnjë rrugë tjetër veçse të shtyjmë reformat e vonuara për kaq shumë vite dhe patjetër të certifikuar nga familja europiane dhe nga ana tjetër, të gjejmë partnerë të besueshëm që Europa të jetë solidare. Ky projekt që sot kthejmë në një marrëveshje i ka të dyja këto anë; vullnetin tonë për të modernizuar duke gjetur rrugë të reja dhe nga ana tjetër, solidariteti nga Banka Europiane. Është një projekt i kthyer në marrëveshje, për të krijuar një hapësirë të re dhe të panjohur për investitorët. Bën bashkë BERZH dhe banka të nivelit të dytë, që falë këtij bashkëpunimi do të jenë shumë dorëlëshuara falë njerëzve që duan të investojnë në fshat për rritjen e ekonomisë. Ky program do të jetë një vlerë e shtuar në rrugën për të kaluar nga bujqësia e lëmoshës, tek ajo e zhvillimit të qëndrueshëm”, tha Rama.