KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria teknike, Rama përplaset me Bashën
Rama thirrje Bashës: Dialogojmë pa kushte!

Qeveria teknike, Rama përplaset me Bashën

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, shkëmbyen të shtunën deklarata të forta në distancë. Në qendër të tyre ishte kërkesa e opozitës për krijimin e një qeverie teknike.
“Me opozitën nuk kemi çfarë të negociojmë, por kemi çfarë të bisedojmë. Nëse opozita është vërtetë e shqetësuar për zgjedhje të lira e standarde më shumë se kemi pasur në zgjedhjet e kaluara, është e mirëseardhur. Ne jemi gati të dëgjojmë dhe propozimet konkrete të opozitës” tha zoti Rama, ndërsa firmosi peticionin e shoqërisë civile për vettingun. Por sipas tij “E vetmja gjë që nuk bisedojmë dot, … është ajo çka me Kushtetutë i takon sovranit. Sovrani vendos kush është në qeveri apo opozitë. Kjo punë është ndarë, dhe ne jemi në zbatimin e një kontrate që nuk ka skaduar akoma” tha kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama. “Opozita ka të drejtën e vet të kërkojë qeveri teknike, të kërkojë qeveri inxhinierike, të kërkojë qeveri hidraulike, të kërkojë qeveri energjetike, qeveri astronomike. Janë të drejtat e opozitës. Ne kemi detyrimin ti konsiderojmë me shumë seriozitet të drejtat e opozitës dhe çfarë mund të plotësojmë e plotësojmë. Çfarë nuk mund të plotësojmë nuk e plotësojmë dot” tha zoti Rama me doza ironie.
Por reagimi i kreut të PD Lulzim Basha ishte me tone të ashpra dhe i drejtërpërdrejtë ndaj zotit Rama. “Vendimi është: Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën! Nuk ka bisedime, negociata! Ka vetëm dialog për të përcaktuar largimin tënd dhe ardhjen e një qeverie teknike që kërkon vullnet të gjerë politik! Harroje se do të bësh zgjedhje me ministrin tënd të brendshëm që njihet botërisht si garantuar i krimit dhe drogës!” tha zoti Basha nga çadra e protestës së opozitës e cila prej dy javësh është ngritur para selisë së qeverisë. “Bëj lëvizjen tënde për qeverinë teknike, përndryshe vala popullore do të rrëzojë, do të rrënojë! Thirri mendjes! Hape rrugën për qeveri teknike, ose populli do ta hapë me fuqinë e vullnetit të pathyeshëm!” ngriti tonet zoti Basha.
Zhvillimet e së shtunës zbehën shpresat e një dite më parë gjatë vizitës në Tiranë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Frederika Mogherini, ku maxhoranca dhe opozita u angazhuan të gjenin gjuhë të përbashkët për ti dhënë fund tensionit mes tyre. Zonja Mogherini tha se “Hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit varen nga reforma në drejtësi dhe në veçanti nga vettingu dhe për këtë politikanët kanë përgjegjësinë për të punuar brenda institucioneve”.