KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria vendos rritjen e pensioneve me 1.6 përqind për 635 mijë pensionistë
Qeveria vendos rritjen e pensioneve me 1.6 përqind për 635 mijë pensionistë

Qeveria vendos rritjen e pensioneve me 1.6 përqind për 635 mijë pensionistë

Qeveria shqiptare ka vendosur rritjen e pensioneve në bazë të indeksit të çmimeve, njoftoi ministri i mirëqënies sociale Bledi Klosi. Sipas tij rritja e pensioneve do të bëhet për të gjithë kategoritë e pensionistëve. Ajo do të jetë në masën e 1.6 për qind, ndërsa inflacioni është 1.2 për qind. Rritja e pensioneve,do të zbatohet nga data 1 Gusht e vitit 2016,tha zoti Klosi. Nga rritja e pensioneve, e parashikuar në këtë projektvendim, do të përfitojnë plot 635 mijë pensionistë, prej të cilëve, 461 mijë janë pensionistë në qytet dhe 142 mijë pensionistë që marrin pensionin në zonat rurale. Efektet financiare për zbatimin e këtij projektvendimi, nga data 1 Gusht e këtij viti e deri në fund të vitit, llogariten në shumën e 662 milion lekëve dhe do të përballohen nga fondet e planifikuara për rritjen e pensioneve në buxhetin e shtetit të këtij viti. “Rritja e pensioneve vë në jetë premtimin tonë për vëmendje ndaj kësaj kategorie, ndaj të cilës ndjejmë detyrimin tonë madhor që vazhdimisht të bëjmë përmirësime dhe përmirësime të vazhdueshme të kësaj skeme” tha ministri Klosi. Sipas tij “filozofia jonë e rritjes së pensioneve është krejtësisht e ndryshme nga ajo e paraardhësve tanë, të cilët pa asnjë lloj analize dhe në kundërshtim të hapur me ligjin çuan drejt falimentimit skemën e kontributeve shoqërore”. “Vendimet tona për pensionet, kanë në balancë rritjen e pensioneve dhe garantimin e qëndrueshmërisë së skemës së kontributeve shoqërore” tha zoti Klosi.