KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Qilimat shqiptarë një thesar motivesh të lashta

Qilimat shqiptarë një thesar motivesh të lashta

Në kujtesën etnografike shqiptare fle apo është pluhurosur një gjuhë e fortë simbolikash të lashta që shkon përtej motivit kryesor të shkabës përjetësuar në flamur. Stilistja dhe kostumografja Anila Zajmi Katanolli jo vetëm i ka shpluhurosur, por ka sjellë një kërkim të mirëfilltë shkencor mbi motivet autentike të qilimave shqiptarë. Një projekt i inicuar 4 vite më parë me udhëtime eksploruese në zona si Kukësi, Shkodra, Kruja, Korça, Kosovë, Shkup për të zbuluar dhe fotografuar ngjyrat, figuracionet, teknikat, motivet që i kanë shoqëruar që nga lashtësia shqiptarët.

Anila Zajmi Katanolli u shpreh për TVSH se ” Kjo është një mundësi shumë e mirë për tu rizgjuar tradita e vërtetë autentike sepse të themi të drejtën është shumë e vështirë të gjesh çilima apo produkte artizanale të vërteta dhe autentike “.

Ndërsa motivet dhe ngjyrat ndjekin një rregull të caktuar sipas zonave që u përkasin, Zajmi e vë theksin tek nevoja e përdorimit të lëndës së parë autentike, teknikave të thurjes po ashtu, por ka edhe një këshillë për artizanet. “Artizanëve do ti lutesha të shikonin tek e shkuara dhe jo shumë larg, dy breza më përpara rreth familjes së tyre, rreth rajonit ku jetojnë” shtoi më tej ajo.

Stilistja prezantoi në ministrinë e kulturës 6 qilime autentike të endur dhe prodhuar sipas teknikave të vjetra duke ruajtur motivet e lashta që shumë shpesh shfaqen jo vetëm tek qilimat por edhe tek veshjet kombëtare siç është rasti i xhubletës. Motivi i zhkabës, i dhisë, i zogjve fluturues janë edhe motivet më të përdorura të cilat zinin vend në këto qilima të prodhuara si reflektim i një studimi dhe eksperimenti të gjatë. Më tej rruga do të jetë frymëzimi dhe aplikimi i motiveve autentike në fashion gjë që Anila Zajmi e ka mision të përhershëm.