KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: 2016 nuk do sjellë rritje taksash
Rama: 2016 nuk do sjellë rritje taksash

Rama: 2016 nuk do sjellë rritje taksash

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar të hënën në Tiranë se viti 2016 nuk do të sjellë asnjë rritje taksash. Deklaratën e tij zoti Rama e bëri gjatë një takimi me përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe shoqatat e biznesit në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe në prag të publikimit të martën të rezultateve të bisedimeve me FMN. “Nesër prezantohet përfundimi i negociatave me FMN. Unë mund të pararend ditën e nesërme duke vënë theksin në dy aspekte. Së pari, nuk do të kemi rritje taksash. Ç’ka konfirmon, jo me zërin tonë, por me qëndrimin e FMN-së se gjithçka që është propaganduar me rënien e të ardhurave nuk ka lidhje me arsyet e gënjeshtërta që i janë servirur publikut por ka pasur ndikim të jashtëm. E dyta: Nuk do prekim llogarinë kapitale, do të vijojmë investimet” tha zoti Rama. Sipas kryeministrit shqiptar për herë të parë Shqipëria ishte në një pozicion të farvorshëm besimi. “Kjo pasi kemi krijuar besimin që, bëjmë atë që themi dhe themi atë që bëjmë, dhe kjo na krijon kushtet dhe na jep mundësinë për të vazhduar më tutje” tha ai. “Nuk jemi ende në momentin kur mund të flasim për rezultate përfundimtare por, mund të themi që ja çfarë bëmë dhe ja ku do të mbërrijme, pikërisht se po bëjmë gjërat që po bëjmë” shtoi më tej kryeministri. Deklaratat e zotit Rama vijnë ndërsa disa organizma të rëndësishme biznesi i kanë kërkuar që të shikonte mundësinë e mosrritjes së taksave dhe tatimeve.
Nga ana e saj opozita po këmbëngul se situata ekonomike në vend është përkeqësuar dhe se vendi kërkon masa të reja. PD më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, prezanton po të hënën platformën e saj ekonomike. Në fokus të programit ekonomik të opozitës në rast se ajo vjen në pushtet, qëndron ulja e ndjeshme e taksave si për bizneset, ashtu edhe për bujqësinë, propozimi për uljen e çmimit të energjise dhe falja pa kushte e kamatvonesave të energjisë.