KRYEFAQJA » LAJME » Rama: 29 Nëntori, një thirrje për të luftuar për paqen dhe qytetërimin
Rama: 29 Nëntori, një thirrje për të luftuar për paqen dhe qytetërimin

Rama: 29 Nëntori, një thirrje për të luftuar për paqen dhe qytetërimin

Një vlerësim plot krenari e respekt për të kaluarën e Shqipërisë, shqetësim, por edhe me shumë shpresë për të ardhmen e saj, ishte fjalimi i kryeministrit Edi Rama mbajtur në pritjen e dhënë të dielën në selinë e qeverisë me rastin e 29 Nëntorit 1944, Ditës së Çlirimit të Shqipërisë. “Dëshmia e 29 Nëntorit, me gjithçka që na kujton, është më shumë se asnjëherë në bashkëkohësinë tonë, një thirrje për të luftuar për paqen dhe qytetërimin” tha zoti Rama. Duke ju referuar situatës në botë pas akteve terroriste në Paris, kryeministri Rama tha se “29 Nëntori nuk na e përçon vetëm ndjenjën e krenarisë dhe respektit, për çka ata bënë si shqiptarë duke e shpëtuar dhe e nderuar Shqipërinë, por dhe kurajën e forcën e madhe të shembullit që na nevojitet për të përballuar armikun e ri të jetës sonë prej njerëzish të lirë”. “Jemi në mes të një lufte të tretë botërore, të një lufte të thërrmuar në mijëra masakra dhe të armatosur si një batalion i vdekjes drejt një përparimi të pandalshëm” kujtoi zoti Rama shqetësimin e Ati i Shenjtë. “Për ne në Shqipëri, për shqiptarët që prej 25 vitesh e kanë bërë zgjedhjen e tyre pa kthim për lirinë, demokracinë, integrimin e tyre në BE dhe përfshirjen me dinjitet të plotë në Aleancën e madhe Euroatlantike, sot në këtë 29 Nëntor dua të them se lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm lufta e shteteve kundër terroristëve, por dhe lufta e çdo qytetari kundër frikës që terroristët duan të kallin në çdo familje dhe në mbarë shoqërinë tonë” tha kryeministri Edi Rama në pritjen e dhënë të dielën në selinë e qeverisë me rastin e 29 Nëntorit 1944, Ditës së Çlirimit të Shqipërisë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e dhënë me rastin e Ditës së Çlirimit të Atdheut:

Të dashur miq!

29 Nëntori hyn ndër ato data të shënuara të qytetërimit tonë që dëshmojnë se, nëse nuk luftohet sot për paqen dhe qytetërimin, e nesërmja e paqes mund të jetë lufta dhe barbaria. E pikërisht sot, dëshmia e 29 Nëntorit, me gjithçka që na kujton, është më shumë se asnjëherë në bashkëkohësinë tonë, një thirrje për të luftuar për paqen dhe qytetërimin, të cilit paraardhësit tanë zgjodhën t’i përkasin atëherë kur nisi Lufta e Dytë Botërore dhe ne kemi zgjedhur t’i përkasim sot kur ka nisur një luftë e pangjashme me të dhe me tjetrën përpara saj, por që pavarësisht pangjashmërisë në mjete, Papa e Françesku e quan Lufta e Tretë Botërore.

Jemi në mes të një lufte të tretë botërore, të një lufte të thërrmuar në mijëra masakra dhe të armatosur si një batalion i vdekjes drejt një përparimi të pandalshëm, shprehet Ati i Shenjtë.

Pjesë e kujtimeve që sjell dëshmia e 29 Nëntorit është tragjedia e 7 dhjetorit 1941, kur një agresion barbar derdhi si rrufeja në një qiell të pastër, flakët vrastare të urrejtjes mbi flotën amerikane në Pearl Harbor. Atë ditë, Presidenti Roosevelt e quajti ditën e zvetënimit dhe të turpit. Ishte në fakt, dita që përfshiu mbarë universin njerëzor në ethet e një lufte jashtë konvencioneve të njohura deri atëherë.

Më herët, Karta e Atlantikut kristalizoi aleancën e kryengritjes së popujve ndaj të keqes, të shfaqur me një tërbim të panjohur më parë, koalicionin e madh të ngjizur për qëllimin madhor të ngadhënjimit të njeriut mbi fanatizmin shfarosës të ideologjisë nazifashiste.

Në atë aleancë të madhe, e cila ngadhënjeu mbi fuqinë monstruoze të nazistëve dhe prej të cilës zuri fill një paqe e gjatë, që edhe pse jo e përkryer, i fali botës demokratike, Shteteve të Bashkuara dhe Europës Perëndimore, 70 vite të një zhvillimi njerëzor, ekonomik e social të paparë në histori, Shqipëria e vogël nuk e la bosh vendin e saj.

Komunistë, nacionalistë, shumica thjesht patriotë, pjesa dërrmuese të reja e të rinj, me vështrim të kthjellët dhe kurajë të posaçme, e angazhuan kombin tonë në anën e duhur të historisë dhe bënë histori me luftë, gjak, sakrifica dhe mundime të denja për mirënjohjen dhe respektin e gjithë brezave të ardhshëm.

Në një fjalim të vitit 1962, drejtuar rinisë franceze gjermane në Ludvwigsburg, gjenerali de Gaulle, i cili që më 1940-n, kur ende shumëkush nuk e shihte si të atillë, e pat cilësuar botërore luftën që nisi në zemër të Europës, iu drejtua këtyre të rinjve që ju ishte besuar një peshë e veçantë në rrugën e pajtimit franko-gjerman, me një formulë shumë të thjeshtë: “Ju përgëzoj. Ju përgëzoj mbi të gjitha që jeni të rinj.”

Lufta e Dytë Botërore i kërkoi botës, përfshirë edhe Shqipërisë, lulen e rinisë së saj. Fillimi i përballjes mes kuadrateve të mekanizuara të ideologjisë së errët naziste dhe çetave të rezistencës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e deri në Francë, i ngjante një loje të cilës nuk i diskutohej fundi.

Midis 7 prillit 1939 e deri disa vite më pas, përpara ditës së çlirimit, në sytë e shumëkujt, të rinjtë e të rejat që shfaqnin qëndresë ngjanin si të marrë. Të ishe në çeta duke luftuar me dyfek një makineri lufte që ngjante e pamposhtur, dhe jo në shtëpi në kolaboracionizëm pasiv ose aktiv me pushtuesin, dukej një çmenduri vetëvrasëse. Të çmendur dhe delirant e quajtën edhe de Gaulle, që me një çetë të vogël sillej vërdallë i alarmuar nga verbëria e Francës dhe Europës. Ndërsa Churchill-in e mënjanuan dhe e përqeshën si të ishte i marrë, kur paralajmëronte se armata hitleriane do të shfaqej një ditë në qiellin e Londrës, nëse Europa nuk do ta ndalte atë menjëherë.

Dihet se si u zhvilluan më tej ngjarjet, se kush kishte dhe nuk kishte të drejtë, tanimë e dimë që të gjithë.

Por çka 29 Nëntori na ndihmon të mos harrojmë është se pavarësisht se në ç’formë shfaqet, e keqja përsëri është po ajo. Mes masakrës së Pearl Harbor dhe kasaphanës së 13 nëntorit në Paris, aq sa nuk ka asnjë lidhje, po aq ka dhe një ngjashmëri në egërsinë në të cilën e keqja i përvishet të mirës dhe po ashtu, në fuqinë me të cilën e mira duhet ta zmbrapsë të keqen.

Sulmi i pabesë në emër të një zoti të tradhtuar, siç e quajti Presidenti Hollande gjatë ceremonisë përkujtimore të viktimave në Paris, ishte një mesazh i përgjakshëm lufte, jo vetëm ndaj Francës, po ndaj gjithë botës që rilindi dhe që u zhvillua më fuqishëm se asnjëherë më parë, mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore.

Në qershor të këtij viti, gjatë një qëndrimi në Paris për të sensibilizuar qytetërimin tonë lidhur me çka ndodh në Irak, Imzot Jusuf Tomas Mirkis, arqipeshkv i Mosulit, lëshoi si një profeci alarmin e betejës kundrës mostrës së re, të terrorit ndaj njerëzimit, e cila këtë herë vjen nga shkretëtirat, pa fytyrë, por me qindra koka që përmes akteve terroriste i krijojnë botës sugjestionin e frikshëm të shumëfishimit pas çdo akti. Ai tha: “Francezët e njohin mirë fjalën rezistencë. Ata i rezistuan nazistëve, ju them se sot diçka të ngjashme ndoshta dhe më të errët se nazizmi mishëron ISIS, i cili kërcënon pa dallim këdo dhe kudo, i dalë nga shtrati i një besimi të marrë peng, të zhveshur nga dija dhe kultura, të shndërruar në besytni, nga përçmimi për veten dhe urrejtja për të tjerët”.

Parafytyrimet që ushqen 29 Nëntori i sotëm janë më të gjalla se sa të shumë 29 nëntorëve të shkuar. Pikërisht se sot, ne ndjehemi të kërcënuar haptas nga diçka fort e ngjashme edhe më e errët se sa nazizmi, në formën e vet të organizimit dhe të shfaqjes nëpër trupin e botës së lirë. Prandaj dhe sot 29 Nëntori duket ende më i çmuar, më inkurajues, më frymëzues se sa ç’mund të na jetë dukur kur armiku i ri i njerëzimit nuk ishte shfaqur ende, me të gjithë egërsinë e vet vrastare, të vetëm dy javëve më parë.

Sot duket sikur gjithë ai gjak i derdhur shqiptar në luftën që solli çlirimin në 29 Nëntor të 1944 dhe përcaktoi vendin e Shqipërisë në radhën e fituesve të asaj përplasje botërore mes të mirës dhe të keqes, na flet përmes gjakut tonë. Sikur të gjithë ato djem dhe vajza që dhanë jetën pa u bërë dot burra dhe gra, na flasin përmes djemve dhe vajzave që e humbën jetën e tyre fare të re në kasaphanën e Parisit. Sikur e djeshmja na flet përmes të sotmes që të mbrojmë të nesërmen, njësoj si dje. E të mos harrojmë se dhe dje fatin e luftës nuk e përcaktoi fuqia e përbindshme, vdekjeprurëse e armikut, por forca e pagjunjëzueshme e dëshirës së njerëzve për të jetuar të lirë.

Dua ta them shumë sinqerisht këtu, se mirënjohjen për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ne e kemi shprehur në çdo 29 Nëntor, por mirënjohja e sotme është ende më e thellë. Sepse sot 29 Nëntori nuk na e përçon vetëm ndjenjën e krenarisë dhe respektit, për çka ata bënë si shqiptarë duke e shpëtuar dhe e nderuar Shqipërinë, por dhe kurajën e forcën e madhe të shembullit që na nevojitet për të përballuar armikun e ri të jetës sonë prej njerëzish të lirë. Armikun e përbetuar të Europës ku ne jetojmë dhe duam të rritemi për t’u bëre anëtarë të denjë të BE. Armikun gjakatar të ëndrrave dhe të shpresave tona për fëmijët tanë në Shqipërinë moderne që duam dhe mundet të ndërtojmë së bashku.

Njësoj si atëherë kur mostra naziste u shfaq e armatosur deri në dhëmbë në rrugën e qytetërimit tonë, edhe sot, kur një tjetër mostër është shfaqur armatosur me përçmimin më ekstrem të njeriut për vetveten, sfida e këtij qytetërimi që i përkasim është të fitojë luftën pa humbur paqen.

E nëse atëherë shqiptarët dhe shumë fitimtarë të mëdhenj të luftës, u bënë humbësit e mëdhenj të paqes për 45 vjet me radhë, kjo e sotmja është një luftë, kur paqen tonë duhet ta fitojmë përditë, duke mos ndryshuar, jo vetëm rrugën, por as mënyrë tonë të të jetuarit.

“Ne do të shumojmë këngët koncertet, spektaklet, ne do të vazhdojmë të shkojnë në stadiume”, – tha Presidenti Hollande në fjalën e tij homazh ndaj viktimave, dhe ky është thelbi.

Për ne në Shqipëri, për shqiptarët që prej 25 vitesh e kanë bërë zgjedhjen e tyre pa kthim për lirinë, demokracinë, integrimin e tyre në BE dhe përfshirjen me dinjitet të plotë në Aleancën e madhe Euroatlantike, sot në këtë 29 Nëntor dua të them se lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm lufta e shteteve kundër terroristëve, por dhe lufta e çdo qytetari kundër frikës që terroristët duan të kallin në çdo familje dhe në mbarë shoqërinë tonë.

Kjo luftë re është së pari një luftë për të mos lejuar që terrori të gjejë vend në mendjet dhe në zemrat tona, për të mos lejuar që terrori të përcaktojë axhendën tonë të jetës së përditshme.

Është mbi të gjitha një luftë shpirtërore që duhet ta çojmë deri në fund, si europianë, mes europianësh, si njerëz dhe si popull që kemi zgjedhur të jemi mes njerëzish dhe popujsh, që zgjedhjen e tyre e kanë bërë të qartë dhe pa kthim, – lirinë dhe demokracinë. 29 Nëntori është dhe do të jetë deri në fund një ndihmë shumë e madhe për ta fituar edhe këtë luftë.

Prandaj sot ka dhe një arsye më shumë për të festuar këtë ditë të bekuar të çlirimit dhe për të uruar:

Lavdi të përjetshme të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare!

Gëzuar Festën e Çlirimit!