KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Anëtarësimi në PS, në funksion të vetes dhe familjes
Rama : Anëtarësimi në PS, në funksion të vetes dhe familjes

Rama : Anëtarësimi në PS, në funksion të vetes dhe familjes

Kryetari i PS dhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili prej disa ditësh po drejton personalisht fushatën për anëtarësimet e reja në partinë më të madhe në vend, tha se “Anëtarësimet janë në funksion të shërbimit të vetes dhe familjes”. Zoti Rama, i cili në këtë fushatë ka zgjedhur sloganin “Anëtarësohu sot”, tha gjatë takimit të dielën në Tiranë  se “Pas 2 vitesh e gjysmë në krye të qeverisë, jemi të inkurajuar nga rezultatet e para të reformave të thella dhe të rëndësishme që kemi ndërmarrë”. “Na vjen mirë që mund t’i themi njerëzve se kanë arsye të forta që të bëhen pjesë e PS-së” tha zoti Rama . Sipas tij Partia Socialiste është forca e duhur për të përmirësuar situatën në vend, ndërsa radhiti një sërë arritjesh të qeverisë së tij. Ai akuzoi opozitën për atë që ai e quajti “baltë kundër reformave tona, përpjekjes për të abuzuar me reformat”. Kryeministri socialist mbrojti veçanërisht sistemin e shëndetësisë dhe kontrollit shëndetësor të popullatës. “Përmes check up-it ne po krijojmë një bazë të rëndësishme të dhënash dixhitale të gjendjes shëndetësore të gjithësecilit”, tha kryeministri Rama. “Ne e dimë që edhe shërbimi spitalor duhet të jetë falas dhe drejt kësaj po shkojmë”, tha zoti Rama ndërsa bëri të ditur se nga data 1 shkurt në shërbimin spitalor ka një rënie prej 4-6 herë të tarifave dhe këto tarifa do të bëhen publike për të gjithë. Kreu i socialistëve synon që  në qershor 2016, kur PS-ja do të festojë 25-vjetorin e krijimit, të dyfishojë numrin e anëtarëve duke arritur në 150 mijë.