KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Arsimi kthesë historike, qeveria rrit pagat e mësuesve
Rama: Pagat në universitete do të rriten

Rama: Arsimi kthesë historike, qeveria rrit pagat e mësuesve

Qeveria shqiptare ka vendosur ta përfshijë arsimin ndër sektorët ku pagat do të rriten. Lajmi është bërë i ditur nga ministri ekonomisë Arben Ahmetaj, gjatë një takimi me mësues nga i gjithë vendi, ku merrnin pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e arsimit dhe e sporteve Lindita Nikolla. “Do të ketë rritje pagash në vitin 2017 me 10 për qind. Kjo nuk është rritje page, por reformë në administratën publike, në arsim. Për herë të parë do të kalojmë në një rritje reale” tha zoti Ahmetaj.
Por në fjalët e tyre kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla, thanë se reforma e ndërmarrë nga qeveria në arsim e kanë ndryshuar atë rrënjësisht. “Më në fund përpjekjet e vështira në sektorin e arsimit janë shpërblyer” u shpreh ndër të tjera zoti Rama . “3 vjet më parë kur morëm detyrën gjetëm 35 milionë dollarë borxhe në arsim. Borxhe që shteti u detyrohej të tretëve. Gjetëm edhe një infrastrukturë arsimore shumë të vështirë, me 177 mijë nxënës të arsimuar me deformime, jo për faj të tyre, por të politikës qorre. Gjetëm një analfabetizëm institucional prej 60 për qind dhe një arsim të transformuar në një sistem grabitjeje të parave të prindërve dhe ëndrrave të të rinjve” e pasqyroi situatën kryeministri socialist. Sipas tij “ishte i nevojshëm një operacion i thellë në arsim, për të riparuar një sistem kanceroz”.
Zoti Rama mbrojti dhe vlerësoi publikisht ministren e arsimit dhe sporteve Lindita Nikolla. “E përsëris, për inatin e të gjithë atyre që pasi kanë dështuar për vite të tëra kanë drejtuar gishtin e akuzës ndaj ministres së Arsimit, duke theksuar se është falë lidershipit të saj që ne sot jemi në kushte të tilla ku mund të themi se në arsim kemi shënuar një kthesë historike në çdo aspekt. Kemi marrë kthesën në drejtimin e duhur për ta transofrmuar arsimin në Shqipëri në një instrument rritjeje ekonomike e shoqërore” tha zoti Rama.