KRYEFAQJA » LAJME » Rama bën bilancin: Optimizëm, por pa brohoritur!
Rama bën bilancin: Optimizëm, por pa brohoritur!

Rama bën bilancin: Optimizëm, por pa brohoritur!

Në 120 minuta kryeministri socialist Edi Rama ka bërë bilancin një vjecar të punës së qeverisë së tij. Ai ishte optimist, ndonëse sikurse u shpreh edhe vetë nuk ka vend për brohorima.
Në vlerësimet e tij makroekonomike, zoti Rama tha se vendi ndodhet në një fazë të ndërmjetme të reformave shtetndërtuese dhe transformimit të sektorëve të jetës, tashmë të çliruar nga kanceri që kishte kapur dhe po i asfiksonte pa përjashtim. “Është ndalur një hemorragji e madhe në të gjitha organet jetike të organizmit të jetës së vendit dhe ka filluar ku në mënyrë më të dukshme, ku në mënyrë ende jo të dukshme, por qartësisht të ndryshme një rimëkëmbje e gjithanshme, duke nisur edhe me ekonominë që është pjesa që u intereson drejtpërdrejtë dhe më shumë të gjithëve, por edhe pjesa më e vështirë” tha ai.
Kreu i qeverisë shprehu besimin se viti i ardhshëm do jetë viti i një kapërcimi përtej 3 për qind të rritjes ekonomike. Zoti Rama edhe njëherë gjeti rastin të vlerësoje zvendësimin e taksës së sheshtë me taksën progresive, që sipas ti u rriti shqiptarëve rrogat me 7.5 për qind. “Zëvendësimi i menjëhershëm i taksës së sheshtë me taksimin e ndershëm duke u kursyer të gjithë qytetarëve që paguajnë TVSH nga rroga e tyre, 230 dollarë në vit dhe ulja e taksave për 97 për qind të shqiptarëve, është përfituar një pagë mesatare e rritur 7.5 për qind, rritje më e lartë e pagës krahasuar me shumë vite të shkuara të mbledhura së bashku” tha ai.
Zoti Rama foli edhe për të ardhurat duke nënvizuar se “Në vetëm një vit kemi rritur të ardhurat më shumë se 5 vitet e fundit të marra së bashku. Këtë vit kur kemi pasur një mospërputhje të parashikimeve dhe të ardhurave, dua të theksoj se kemi 242 .2 milion euro më shumë se në vitin më të mirë që është 2012 i mbledhjes së të ardhurave në 8 vite qeverisje të shkuara” ilustroi ai me shifra.
Në fushën e bujqësisë kryeministri nënvizoi eksportin e tyre, ku sikurse u shpreh kemi vendosur një fokus të posaçëm për të transformuar modelin ekonomik ka dhënë rezultate pozitive.
Në punën e qeverisë gjatë vitit 2015, Kryeministri Rama vecoi edhe transformimin e Policisë së Shtetit. “Rendi dhe siguria është tanimë në sytë e të gjithëve e vërteta se një prej institucioneve më të korruptuara dhe më të pabesueshme sipas Transparency Intertnational, policia e shtetit, është transformuar në një institucion që gëzon një besim në rritje të qytetarëve”, tha ai. Sipas zoti Rama viti që po mbyllet “…është viti në mënyrë absolute më i mirë në aspektin e arritjeve kundër krimit dhe kriminalitetit krahasuar me të gjitha vitet e tjera një nga një, dhe ka rënie me një mesatare prej 50 për qind e numrit të vrasjeve”.
Kryeministri socialist shfrytëzoit rastin të fliste edhe për shëndetësinë, ndër temat më të debatuara me opoizotën. “Lajmi i ri dhe lajmi i mirë tek shëndetësia është se vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. Nuk do të ketë më asnjë tarifë, asnjë pagesë për mjekun e familjes. Bazuar tek projekti ynë i madh kombëtar i check-up-it falas për 870 mijë qytetarë të moshës 40-65 vjeç që e përfitojnë këtë kontroll shëndetësor çdo vit, ne iu kemi kursyer qytetarëve 45 milionë dollarë. Këtë shifër ta shënojnë dhe ta mbajnë mend mirë të gjithë ata që janë vërsulur në mënyrë barbare kundër këtij projekti dhe që e kanë përfshirë në listën e shënjestrave për të gjuajtur me baltë” tha kryeministri Edi Rama.
Nga ana tjetër, shtoi kryeministri, “për herë të parë kemi vendosur bazën për të pasur atë që çdo shtet normal e ka prej shekujsh apo prej dekadash, atë që ne na mungon; një panoramë të gjendjes shëndetësore të popullsisë dhe një instrument për të identifikuar në kohë probleme që janë në zhvillim dhe që mund të parandalohen dhe për të përcaktuar edhe gjithë profilin e politikave dhe shpenzimeve në shëndetësi”.
“Nuk po zgjatem me çmime te barnave që janë konsoliduar përfundimisht në minus 30 për qind, krahasuar me dy vite më parë, dhe një ulje prej të cilës përfitojnë drejtpërdrejtë qytetarët, ashtu sikundër përfitojnë dhe 70 milion dollarë, ose 100 dollarë për familje nga heqja e taksës për ilaçe. Dy vjet më parë taksohej çdo aspirinë. Këto janë para që ne kemi parapëlqyer ti lëmë në xhepat e qytetarëve dhe jo ti marrim me taksa në buxhetin e shtetit. Ka një gamë të tillë masash lehtësuese që kanë rritur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe sigurisht kanë ulur masën e parave të mbledhura në buxhetin e shtetit”, tha Rama.
Në fushën e arsimit zoti Rama tha se ka qenë një nga reformat shumë të rëndësishme që kanë përfunduar gjatë këtij viti. Akreditimi është një aspekt i munguar për shumë vite që do të jetë një tjetër siguri për përshtatjen me kërkesat e tregut. Pastruam sistemin parauniversitar nga mbi 4 mijë mësues pa arsim përkatës apo që jepnin mësim jashtë profilit dhe vendosëm bazat për një sistem meritokratik. Pastruam 600 tekste shkollore me budallallëqe dhe gabime që i kanë kushtuar shumë nxënësve dhe prindërve” solli bilancin e tij kryeministri Rama.
Në konferencën për shtyp kryeministri Edi Rama u ndal gjatë edhe në reformën në drejtësi. Ai tha se nëse nuk ka pasur asnjëherë një reformë të thellë në drejtësi në Shqipëri, kjo ka ardhur si rezultat i pengesës politike, e cila ka qenë mungesë vullneti, eksperience dhe dije. “Unë kam qenë i bindur, se nëse në këtë proces do të hyjë unë, apo dikush tjetër vetëm do pengojmë jo nga mungesa e vullnetit por nga pamundësia për të dhënë mungesin e vullnetit dhe ekspertizës. Që në krye të herës e kam thënë dhe përsëritur, nuk ka konsensus politik të mundshëm për këtë reformë, përveçse duke vendosur që çelësin e konsensusit na e jep Komisioni i Venecias”, u shpreh Rama.
“Besoj shumë se ne do ja dalim dhe jam i bindur se asnjë diversion dhe përpjekje e çfarëdolloj për të çarë shumicën në këtë proces nuk do të ketë sukses”, deklaroi kryeministri socialist.
Në konferencën për shtyp të fund vitit, kryeministri Rama foli edhe për transformimin RTSH si media publike. Ai pranoi se përgjegjësia dhe kritika për gjendjen e RTSH duhet ti shkojë shumicës aktuale qeverisëse. “TVSH është sot struktura më e prapambetur, por njëkohësisht dhe më e paguar e botës së medias. Televizione me shumë më pak para, më pak investime, me më pak njerëz bëjnë audiencë shumë më të lartë. Nuk ka asnjë përgjegjësi dhe asnjë arsye që unë të kritikoj askënd në atë strukturë, për sa kohë përgjegjësia dhe kritika duhet ti shkojë drejtpërdrejt kësaj shumice qeverisëse, dhe po të doni dhe mua bashkë me bashkëkryetarin. Kemi votuar një ligj absurd, për një konsensus absurd për të drejtuar një ndërmarrje publike që ka një mision shumë të madh, informimin e publikut, bazuar tek interesi i publikut dhe jo tek interesi komercial. Këtu nuk gjejmë dot drejtorin e televizionit, sikur po zgjedhim sekretarin e OKB-së, Ban Ki Moon”, tha zoti Rama. “Nuk kemi dashur të hyjmë tek ligji, i kemi votat, kemi detyrimin për ta bërë, sepse kemi dëshiruar ta kërkojmë këtë konsensus deri përtej arsyes. Nuk e kemi gjetur 2 vjet e gjysmë. Atëherë ka dy rrugë, ose të biem dakord dhe ti japim zgjidhje këtij problemi, ose të ndryshojmë ligjin. Ne nuk do presim përtej janarit. S’ka më kohë. TVSH kërkon një reformë rrënjësore, njësoj si hipotekat, njësoj si ALUIZNI”, tha zoti Rama.
Nga politika e jashte vemendje tërhoqi opinioni i kryeministrit lidhur me Paktin Detar me Greqinë. Kryeministri Rama tha se dy vendet janë fqinje të mira dhe kanë miqësi, si dhe janë të lidhura me interesa strategjike që burojnë nga lidhja e fortë mes popujve dhe nga ata që kanë emigruar. “Por ne jemi këtu për të qeverisur punët e vendit tonë. Jemi të gatshëm t’ia besojmë një pale të tretë të pavarur, një ekspertize të pranuar nga të dy palët” tha zoti Rama.