KRYEFAQJA » LAJME » Rama bën lëshimin ekstrem ndaj PD: Shkruajeni vete si të doni reformën
Rama bën lëshimin ekstrem ndaj PD: Shkruajeni vete si të doni reformën

Rama bën lëshimin ekstrem ndaj PD: Shkruajeni vete si të doni reformën

Kryeministri socialist Edi Rama ka bërë një lëshim gati ekstrem lidhur me Reformën në Drejtësi. Ai i ka kërkuar Partisë Demokratike të opozitës, të shkruajë si të dojë reformën në drejtësi dhe mazhoranca do ta miratojë me kusht që të marrë miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. “Një propozim i ri për PD; Shkruajeni vete si të doni reformën, merrni miratimin e SHBA/BE dhe në do ta miratojmë pa lëvizur asnjë presje!” shkruan zoti Rama në Fejsbuk. Më parë në konferencën e ambasadorëve të Shqipërisë në botë, zoti Rama përsëriti nevojën e miratimit të Reformës në Drejtësi, duke e quajtur  si strategjike për të ardhmen e vendit. Propozimi i zotit Rama vjen vetëm një javë nga 21 korriku data e vendosur për miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese.  Veç opozitës, ai  duket se drejtohet edhe ndaj skeptikëve brenda rradhëve të koalicionit. Në polemikat lidhur me rolin e ndërkombëtarëve në proçesin e vetingut, u përfshi të enjten dhe LSI, partia e dytë më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila duket se ka rezerva ndaj aleatit më të madh. Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, se Shqipëria është republikë parlamentare dhe nuk mund të bëjë eksperimente. Ai kujtoi rastin me firmën britanike në kontrollin e doganave Crown Agents, rezultatet e të cilës zoti Vasili i cilësoi të hidhura. Ndërkaq pas diten e së enjtes kreu i LSI Ilir Meta deklaroi gjatë takimit me ambasadorët shqiptarë në kryesinë e parlamentit se “Do të përpiqemi në ditët në vazhdim që ta mbyllim reformën në drejtësi. Do të bëjmë çdo gjë që kjo reformë të realizohet me konsensus”. Zoti Meta ka pritur  ndërkohë dhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin.