KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Besojmë tej Venecia, referendumi rruga më e mirë!
Rama bën bilancin: Optimizëm, por pa brohoritur!

Rama: Besojmë tej Venecia, referendumi rruga më e mirë!

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi pritet të hedhi të premten hapin vendimtar. Ai do të rishikojë dhe miratojë draftin e ndryshimeve kushtetuese të hartuar nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, për t’ia përcjellur më pas për ekspertizë Komisionit të Venecias.
Ndryshe nga sa ishte kërkuar dhe shpresuar maxhoranca e majtë dhe opozita e djathtë nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët kur vejn puna tek miratimi i ndryshimeve. Maxhoranca thotë se ndryshimet kushtetuese të miratohen me shumicë të cilësuar 3/5 ose 84 vota në parlament, ndërsa ekspertët e PD-së i qëndrojnë variantit për shumicë kushtetuese 2/3 ose 93 vota. Opozita këmbëngul se miratimi me 3/5 e votave “çimenton kapjen e sistemit të drejtësisë”, ndërsa maxhoranca thotë se aplikimi i 2/3 sjell pakicën bllokuese parlamentare.
Kryeministri socialist Edi Rama i cili është vënë në shënjestër nga opozita, pasi sipas saj synon të ketë në dorë të gjitha pushtetet, ndërsa ka mohuar akuzat, ka shprehur bindjen se “është Venecia që do të na ndihmojë në raportin final për të çelur një rrugë të sheshimit të mosmarrëveshjeve”. Zoti Rama i ka dhënë përgjigje edhe zërave për mundësinë e një referendumi. Duke kujtuar se për të kaluar në këtë stad duhet dakordësia e dy të tretave të Parlamentit, ç’ka janë votat aktuale të maxhorancës, zoti Rama është shprehur pozitivisht nëse sipas tij palët gjykojnë se populli duhet pyetur në këtë proces. “Ajo do të ishte rruga më e mirë e transparente për të gjitha palët, në mënyrë që secili të ndihet i qetë kur të ngrejë dorën për t’i dhënë votën dhe për t’i vënë vulën ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë” citohet të ketë thënë kryeministri dhe kreu i maxhorancës Edi Rama.