KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Brenda 2017 krijojmë Këshillin Kombëtar të Diasporës Shqiptare
Rama opozitës : "Levantinët dhe karanxhot e sotëm kanë dhe tmerrin e frikës nga Reforma në Drejtësi"

Rama: Brenda 2017 krijojmë Këshillin Kombëtar të Diasporës Shqiptare

Qeveria dhe diaspora do të angazhohen të krijojnë brenda viti 2017 Këshillin Kombëtar të Diasporës Shqiptare. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij javor në Fejsbuk. Në këtë komunikim zoti Rama vlerësoi Samitin e Parë të Diasporës mbajtur këtë fundjavë në Tiranë. Ai tha se për herë të parë qysh nga rënia e regjimit të vjetër dhe rihapja e rrugës së emigrimit të shqiptarëve, shteti shqiptari kujtohet të mbledhë shtegtarët e shqipes në një Samit të Diasporës, nën moton “Të pandarë për Shqipërinë”. “Synimi është i lartë, i qartë dhe i thjeshtë: Të ndërtojmë një urë të re dhe sa më të fortë komunikimi dhe ndërveprimi në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjes mes diasporës dhe atdheut dhe po ashtu të nxisim dhe të mbështesim ndërtimin e urave lidhëse mes komuniteteve dhe individëve shqiptarë në vendet dhe kontinente të ndryshëm për të shfrytëzuar sa më shumë energji shpirtërore dhe sa më shumë vullnete njerëzore që duan të kontribuojnë për atdheun” tha zoti Rama.
Duke e konsideruar fillimin si të rëndësishëm, por të papërsosur, kryeministri njoftoi se qeveria dhe diaspora do të angazhohen të krijojnë brenda 2017 Këshillin Kombëtar të Diasporës Shqiptare. “Këshilli do të jetë një strukturë qëndrore bashkëpërfaqësuese që do të udhëheqë bashkëpunimin në të gjitha aspektet me diasporën, veprimtarinë për vënin në jetë të angazhimeve të marra në këtë samit si dhe për të çuar përpara organizimin e aktiviteteve në të ardhmen”,  tha ai.
Zoti Rama gjeti rastin të përsëriste se qeveria ka nisur punën për regjistrimin e shqiptarëve jashtë kufijve të vendit, proces që do të krijojë bazën për votimin në distancë të qytetarëve shqiptarë në diasporë dhe do të ndihmojë në krijimin e atlasit të diasporës shqiptare në botë.
Sipas zotit Rama “Samiti i parë do të dalë me një deklaratë angazhimesh konkrete për të gjithë sferën e interesit të përbashkët që nga gjuha shqipe tek investimet private apo përfshirja e njerëzve të diasporës këtu në jetën e përditshme dhe në administratën e shtetit shqiptar”.
“Ndjesia e jashtëzakonshme e këtij samiti konfirmon edhe njëherë sesa shumë mund të bëjmë për Shqipërinë dhe për njëri tjetrin nëse arrijmë të bëhemi bashkë për qëllime të larta dhe të bashkohemi për ti realizuar qëllimet” përfundoi komunikimin e tij javor në Fejsbuk zoti Rama.