KRYEFAQJA » LAJME » Rama: “Çështja ÇEZ” e mbyllur me sukses të plotë
Rama: "Cështja CEZ" e mbyllur me sukses të plotë

Rama: “Çështja ÇEZ” e mbyllur me sukses të plotë

Kryeministri socialist Edi Rama ka hedhur poshtë mundësië e hetimit të “Çështjes ÇEZ” nga prokurorë të huaj, ndërsa mohoi përfshirjen të aleatit të tij kryesor kreut të LSI Ilir Meta, aktualisht kreu i parlamentit shqiptar. Zoti Rama i cili gjendet në Nju Jork, ku janë mbledhur këtë javë udhëheqësit botërorë, për të marrë pjesë në sesionin e 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjatë një interviste dhënë seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” tha se për të dhe qeverinë shqiptare kjo është një çështje e mbyllur. “Për mua, për qeverinë shqiptare, kjo është një çështje e mbyllur dhe e mbyllur me sukses të plotë. Të gjitha të tjerat janë pjesë e një çorodie të madhe që karakterizon sot opozitën, por edhe median; sepse medias i takon të bëjë hetimet e veta, i takon të bëjë leximet e veta, i takon të bëjë edhe konkluzionet e veta, për interesin e publikut dhe nuk i takon të bëjë këtë ping pong të shëmtuar, nga ku publiku del më i çoroditur” tha plot nerv zoti Rama. Sipas tij “çështje të ÇEZ-it nuk ka”. “Ajo- tha kryeministri shqiptar – është absolutisht e trajtuar sipas të gjitha standarteve ndërkombëtare; dhe marrëveshja e qeverisë shqiptare ka qenë një domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat ku ishte tërësisht e kapur, për shkak të keqadministrimit”. Kryeministri socialist bëri përgjegjëse qeverinë e paraardhësit të tij demokrat Berisha se e kishte kthyer ÇEZ në “…kompani me 1 miliardë borxhe të akumuluara dhe për shkak të ndërhyrjeve shumë brutale të qeverisë së mëparshme në çështjet e kompanisë”.
Ndërkohë ai ftoi “… të gjithë ata që kanë akuza, që kanë pretendime, që kanë aludime, t’i referohen legjislacionit shqiptar, t’i drejtohen institucioneve përkatëse dhe të gjejnë gjithëshka që duan të gjejnë, apo pretendojnë se mund të gjejnë nga ky proces”.
Kryeministri Edi Rama mohoi përfshirjen të aleatit të tij kryesor kreut të LSI Ilir Meta, aktualisht kreu i parlamentit shqiptar, në “Çështjen ÇEZ”. “Edhe një herë, me shumë qetësi po ju them, që edhe ju ushqeni këtë lloj mjegulle të pakuptimtë. Sepse studjoja e tërhequr në këtë debat absurd nga media të caktuara, ka dhënë një prononcim shumë të qartë dhe ka thënë që nuk ka asnjë referencë nominale për Kryetarin aktual të Kuvendit të Shqipërisë. Dhe pikë. Të gjitha të tjerat janë abuzime dhe spekulime” ju përgjigj ai këmbënguljes së gazetarit të seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”. “Edhe një herë tjetër po ju them: kjo e gjitha është një mjegull e ngritur dhe e dendësuar dita-ditës nga një “zogori” burimesh dhe personazhesh që shtrihen nga selia e Partisë Demokratike, deri në burime të informacionit që nuk informojnë shqiptarët, por që deformojnë në mënyrë të vazhdueshme informacione për interesa  që nuk kanë lidhje fare me interesat e publikut” tha kryeministri shqiptar Edi Rama.
Zoti Rama gati refuzoi t’i përgjigjej pyetjes se cilat ishin marrëdhëniet e tij me zotin Meta. “…unë nuk e kam kuptuar kurrë ç’është kjo pyetje: “Cilat janë marrëdhëniet tuaja me këtë apo me atë?”. Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni qeverisës funksionon plotësisht. Qeveria është në detyrë, unë jam në krye të detyrës …” tha zoti Rama.