KRYEFAQJA » LAJME » Rama: “Çështja ÇEZ” të hetohet nga FBI
Rama: “Çështja ÇEZ" të hetohet nga FBI

Rama: “Çështja ÇEZ” të hetohet nga FBI

“Çështja ÇEZ” ka njohur të enjten zhvillime të reja. Kryeministri socialist Edi Rama, i cili deri tani kish kundërshtuar hetimin ndërkombëtar të kësaj çështjeje, ka deklaruar nga salla e parlamentit, se i është kërkuar Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) ndihmë për hetimin e dosjes së ÇEZ. “Po ju lajmëroj se kërkesa juaj për të përfshirë hetues ndërkombëtar në këtë proçes do të përfshihet brenda kuadrit kushtetues të Shqipërisë, se kjo nuk është republikë bananesh. I kemi kërkuar FBI të shprehë disponibilitetin për të asistuar hetimin dhe ne padyshim jemi shumë të lumtur që nëse na bashkoheni që ta nxisim prokurorinë që në këtë hetim për përfshijë hetues ndërkombëtar. Shpresojmë që edhe nga FBI përgjigjia do jetë pozitive. Brenda kuadrit legjislativ do të kemi cilësinë më të lartë të pavarur të hetimit ndërkombëtar” tha zoti Rama në parlament. Seanca e së enjtes  ishte mjaftë e nxehtë dhe me shkëmbime replikash mes zotit Rama dhe zotit Berisha. Madje si rrallë herë debati mes tyre u zhvillua ballë për ballë tek foltorja e kuvendit. Deklaratat e zoti Rama ishin plot ironi dhe deri diku fyese për opozitën. “Që ju jeni thellësisht të pafytyrë është konstatim nuk është ofendim. Dhe lëreni popullin shqiptar ta verifikojë” u tha zoti Rama deputetëve demokratë. Seanca u ndërpre kur ish ministri i rendit në qeverinë Berisha Flamur Noka ju drejtua me një fjalor të vrazhdë kryeministrit Rama.