KRYEFAQJA » LAJME » Rama dhe Basha polemizojnë për emigracionin
Rama dhe Basha polemizojnë për emigracionin

Rama dhe Basha polemizojnë për emigracionin

Ka provokuar reagime një deklaratë e kryeministrit shqiptar Edi Rama mbi emigrantët shqiptarë që po synojnë Gjermaninë. Ndërsa kohë më parë kryeministri tha se bëhej fjalë për një keqkuptim të deklaratave të autoriteteve gjermane për fuqi punëtore nga vende të Ballkanit, të hënën gjatë një bashkëbiseimi në rrjete sociale, zoti Rama i pyetur përse po ikin kaq shumë shqiptarë në drejtim të Gjermanisë tha: “Shumica dërrmuese e shqiptarëve s’janë të ikur nga Shqipëria por nga Greqia”.
Ka reaguar menjëherë kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili e ka cilësuar si të turpshëm faktin kryeministri ka mohuar ekzistencën e eksodit të shqiptarëve.
“Duke mohuar këtë eksod, Edi Rama jo vetëm tallet me mijëra kryefamiljarë, të rinj e të reja, jo vetëm tallet me jetën e tyre dhe me aktin ekstrem që bëjnë duke ikur natën nga shtëpitë e tyre, duke shitur çfarë u ka mbetur pos shpirtit për të bërë pasaportat dhe blerë biletat, por akoma më keq, tregon se ai nuk ka asnjë zgjidhje” citohet të ketë thënë zoti Basha. Sipas tij situata e krijuar është pasojë e keqqeverisjes dhe se “Vetëm ndarja me këtë qeveri e me këtë kryeministër mund ta normalizojë situatën e ta frenojë eksodin dramatik të shqiptarëve”.
Ndërkaq disa media kanë cituar drejtues të shoqatave të emigrantëve në Greqi, se numri i emigrantëve shqiptarë të larguar në drejtim të Gjermanisë është i papërfillshëm. Polemikat janë komentuar edhe me humor në disa rrjete sociale. “Përse nuk i kthejnë emigrantët në Athinë, por në Tiranë?” shtronte pyetjen një komentues.