KRYEFAQJA » LAJME » Rama dhe Keqjang diskutojnë për projekte të përbashkëta
Rama dhe Keqjang diskutojnë për projekte të përbashkëta

Rama dhe Keqjang diskutojnë për projekte të përbashkëta

Kryeministri Edi Rama zhvilloi të enjten, një takim dypalësh me Kryeministrin Li Keqiang, me të cilin bisedoi mbi zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës gjatë dy viteve të fundit, si dhe për nxitjen e mëtejshme drejt konkretizimit të projekteve të përbashkëta që kanë mbështetjen e të dy qeverive. Lajmi bëhet i ditur në faqen web të kryeministrisë.
Kryeministri Rama e informoi homologun kinez lidhur me përparimin e katër projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, falë Marrëveshjes së Mirëkuptimit të Qeverisë Shqiptare me kompaninë China Pacific Construction Group. Po ashtu, Kryeministri nënvizoi si një moment të rëndësishëm të vizitës, firmosjen trepalëshe të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes ministrave të Transportit të Shqipërisë e të Malit të Zi dhe Presidentit të China Pacific Construction Group, për ndërtimin e Korridorit të Kaltër. Në këtë marrëveshje do të përfshihen në vijim edhe Bosnja e Kroacia si palë të interesuara për projektin.
Tjetër moment i bashkëbisedimit ishte finalizimi i negociatave për të filluar punimet në rrugën e Arbrit, si edhe mbështetja kineze për Parkun Industrial në Zonën e re Ekonomike të Durrësit, për të cilin Kryeministri Li Keqiang u angazhua të nxisë përfshirjen e sa më shumë kompanive kineze në jetësimin e Parkut, ku parashihet krijimi i 30 mijë vendeve të reja pune. Kryeministri Li Keqiang nënvizoi po ashtu se qeveria e Kinës është e gatshme të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës portuale në Shqipëri.
Bujqësia ishte një tjetër sektor ku pala kineze shfaqi interes të veçantë, sidomos sa i përket importit të produkteve shqiptare e posaçërisht vajit të ullirit. Po ashtu, Kryeministri kinez e informoi Kryeministrin Rama për një grant të qeverisë kineze për mekanikën bujqësore, si edhe për gatishmërinë për të mbështetur rimëkëmbjen e infrastrukturës së prodhimit bujqësor.
Kryeministri Li Keqiang i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë dhe përgëzoi Kryeministrin Rama për rolin aktiv në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore të bashkëpunimit në Ballkan.
Të dy Kryeministrat u dakordësuan për zhvillimin e një vizite zyrtare të Kryeministrit kinez në Shqipëri, në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

(Marrë nga faqja web e kryeministrisë)