KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Do heqim barrierat jotarifore me disa vende të Ballkanit
Rama: Do heqim barrierat jotarifore me vendet e Ballkanit

Rama: Do heqim barrierat jotarifore me disa vende të Ballkanit

Gjashtë vende të rajonit të Ballkanit, kanë mbështetur propozimin e Shqipërisë për të lehtësuar shkëmbimet tregtare. Kjo është bërë e ditur nga kryeministri shqiptar Edi Rama, pas përfundimit të Samitit të Parisit. Sipas marrëveshjes nga shtatori shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kroacisë do të jenë më të lira dhe të përjashtuara nga disa taksat. Duke bërë të ditur këtë propozim zoti Rama tha se këtë praktikë Tirana po e zbaton me Prishtinën, për ti dhënë shtysë bashkëpunimit ekonomik. “Më vjen mirë që u vlerësua lart propozimi i Shqipërisë dhe puna e bërë sëbashku me qeveritë e tjera me mbështetjen e rrjetit të zyrave të Bankës Botërore, për një plan veprimi për heqjen e barrierave jotarifore dhe lehtësimin maksimal të tregtisë dhe të transportit mes vendeve tona” tha ai. Sipas kryeministrit shqiptar vendet janë të bindura që ky hap do të sjellë një impakt pozitiv në rritjen e përbashkët të volumeve tregtare në rajon dhe padyshim dhe në rritjen ekonomike të vendeve të rajonit.
Pavarësisht se Samiti i Parisit u zhvillua në një periudhë kur Britania e Madhe sapo është larguar nga Bashkimi Europian, zoti Rama tha se nga kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Hollond, ai kishte marrë garanci se zgjerimi i BE nuk do të ndalet. “Jemi të kënaqur që mesazhi ynë për të mos reshtur në procesin e integrimit dhe për të shkuar më tutje padyshim që pati jehonë pozitive, jo në këtë rast thjesht për ndonjë meritë, por thjesht sepse qoftë Kancelarja, qoftë Presidenti Hollande u treguan shumë të vendosur që ta çojmë përpara procesin e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian” tha kryeministri Rama.
Ashtu sikurse pritej, nga marrëveshja e firmosur në Paris, Shqipëria është përfituese e 35 milionë euorve për rehabilitimin e hekururdhës Tiranë-Durrës, nga 85 milionë që është në total vlera e projektit. Ndërkaq në Tiranë do të ngrihet Zyra Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, një nismë e kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, Rama dhe Vuçiç. BE për funksionimin e kësaj zyre dha 1 milionë euro ndërsa 1 mln të tjera do të jenë kontribut i vendeve të rajonit. Samiti i Parisit mbështeti edhe projektet për modernizimin e hekurudhës Nish-Dimitrovgrad-kufiri në Serbi me një grant 44 milionë Euro, si dhe rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë në Kosovë me një grant prej 17 milionë Eurosh.