KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Duke paguar taksat blejmë qytetërimin!
Rama: Duke paguar taksat blejmë qytetërimin!

Rama: Duke paguar taksat blejmë qytetërimin!

Kryeministri socialist Edi Rama ka përsëritur vendosmërinë e qeverisë së tij për ti shkuar deri në fund luftës kundër informalitetit në Shqipëri. Gjatë prezantimit të projektit “Efiçenca e administratës tatimore” i mbështetur nga USAID, zoti Rama tha se synohet që t’i jepet fund konkurencës së pandershme. “Nga operacioni kundër informalitetit përfituesi më i madh duhet të jetë vetë sipërmarrësi, ai që paguan rregullisht taksat dhe që ka qenë prej vitesh i cënuar dhe kërcënuar nga konkurenca e pandershme dhe nga marrëdhënia e paligjshme mes konkurentëve të pandershëm dhe administratës tatimore”. “Jemi shumë të vendosur që të çojmë përpara këtë operacion, shumë të vendosur që të ndëshkojmë çdo inspektor apo drejtues të administratës tatimore që do të përfshihet ashtu siç kemi ndëshkuar deri tani në veprimtari korruptive që bie ndesh qëllimit, objektivat dhe frymës së këtij operacioni” tha zoti Rama, ndërsa mediat njoftonin për ndalimin e një zyrtari të lartë të tatimeve në Tiranë, i cili dyshohet si i përfshirë në një aferë korruptive.
Duke sjellë rezultatet e deritanishme të aksionin për formalizimin e ekonomisë. zoti Rama tha se “Falë këtij operacioni faktikisht kemi sot 33 për qind më shumë biznese aktive seç kishim dy vjet më parë. Falë këtij operacioni ne sot regjistrojmë 626 mijë të punësuar ndërkohë që 2 vjet më parë kishim vetëm 471 mijë dhe falë këtij operacioni kemi mundur të bëjmë dhe disa hapa shumë të rëndësishëm për të lehtësuar biznesin e vogël dhe do të mund të bëjmë dhe hapa të tjerë për të lehtësuar më tutje sipërmarrjen”.
Kryeministri shqiptar i cili është vënë qendër të kritikave nga opozita për rritjen e taksave, tha se “sa më shumë qytetarë të paguajnë taksa, aq më shpejt do mund ta blejmë qytetërimin që të gjithë dëshirojmë për fëmijët tanë”.