KRYEFAQJA » LAJME » Rama e Basha akuzojnë njëri-tjetrit se po e mbajnë peng Reformën në Drejtësi
Polemika, parlajmërime dhe shpresë për Reformën në Drejtësi

Rama e Basha akuzojnë njëri-tjetrit se po e mbajnë peng Reformën në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, akuzuan njëri-tjetrin në distancë se me këmbënguljen e tyre po mbajnë peng Refomën në Drejtësi. “Falë presionit të madh të publikut, pozicionit të qartë dhe të hapur të BE-së u tërhoqën nga thuajse gjithçka por nuk u tërhoqën ende nga kryesorja: mos futja e duarve të partive në procesin e vetingut, radiografimi etiko profesional i çdo prokurori” tha zoti Rama. Zoti Rama tha se “…duam që vëllazëria në krim mes politikës e gjyqësorit të prishet dhe se vija e kuqe është pozicioni i SHBA, BE dhe partnerëve kryesorë”. Duke nënvizuar se “Reforma duhet të marrë vulën e BE-së” kreu socialist tha se “Është momenti i ndarjes së shapit nga sheqeri, i të shkuarës nga e ardhmja…”.
Por me të njëjtën gjuhë kreu i opozitës Lulzim Basha i bëri apel kryeministrit për reflektim, me qëllimin sipas tij që ti jepet reformës mbështetje maksimale politike. Zoti Basha tha se rekomandimi i Komisionit të Venecias, shmang kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Ai përsëriti se opozita nuk do të japë konsesus për Reformën në Drejtësi nese nuk pranohet kërkesa e saj për vendet e rezervuara.

Deklaratat e tyre vijnë ndërsa një ditë më parë Komisioni i Reformës Zgjedhore miratoi draftin përfundimtar pa praninë e opozitës e cila u largua nga mbledhja. SHBA dhe BE e përshëndetën këtë hap të hedhur dhe u bënë thirrje parlamentarëve shqiptarë ta miratojnë me unanimitet.  “Një votë për këtë reformë është një votë në favor të lëvizjes së Shqipërisë përpara në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe një të ardhmeje më të fortë euro-atlantike”  u bëhej thirrje ligjvënësve shqiptarë.