KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rama: Feja mund të luajë një rol thelbësor për bashkuar njerëzit
Rama: Feja mund të luajë një rol thelbësor për bashkuar njerëzit

Rama: Feja mund të luajë një rol thelbësor për bashkuar njerëzit

“Harmonia Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm: Promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës”, ishte një tjetër aktivitet në kuadër të Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Nju Jork, ku mori pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama. Në fakt kjo ishte iniciativë e Shqipërisë, së bashku me Selinë e Shenjtë dhe Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, për promovimin e tolerancës dhe respektit midis besimeve dhe luftën ndaj ekstremizmit.
Takimi u moderua nga Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati. Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për dialog dhe ndërveprim mes feve dhe kulturave, promovimin e diversitetit dhe harmonisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama evokoi modelin e Shqipërisë që ofron jo thjesht një bashkëjetese fetare, por siç e quajti Ati i Shenjtë, “vëllazëri fetare”. Në këtë vëllazëri fetare si një realitet të përditshëm, nënvizoi Kryeministri, Shqipëria, një vend ku përvoja e diktaturës na ka mësuar qartë se çmimi për t’u paguar për fenë është shumë i lartë, ka një mesazh dhe një rol të rëndësishëm për të luajtur.
“Papa Françesku e filloi vizitën e tij në Europë nga Shqipëria. I përshëndetur nga gëzimi i mijëra qytetarëve të feve të ndryshme, ai e quajti këtë bashkëjetesë “vëllazëri fetare”. Ne nuk do të lejojmë që asnjë besim të përcaktohet në termat e kundërvënies ndaj besimeve të tjera. Unë mendoj se kjo është një masë e rëndësishme parandaluese ​​kundër ekstremizmit” tha zoti Rama.
Kryeministri shqiptar, e përshkroi Shqipërinë si një vend ku Selia e Shenjtë ka më shumë se 40 martirë, ka njerëz që i luten Allahut, ku festat e krishtera kremtohen edhe nga myslimanët dhe festat myslimane kremtohen nga të krishterët, hebrenjtë, ateistët. “Në vendin tonë, ne kemi ditur gjithmonë si të ndërtojmë mbi ngjashmëritë tona dhe si të respektojmë dallimet tona sidomos në çështjet e fesë. Është e mundur që këtë përvojë ta përçojmë përtej kufijve tanë, në realitete të ndryshme sociale, politike dhe kulturore” tha zoti Rama.
Përgjigja ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit, për Kryeministrin Rama, është respektimi i vlerave themelore të njeriut dhe mirëkuptimi mes besimeve, më shumë dialog e bashkëpunim. “Ky është një moment për t’u ngritur dhe të bashkëpunojmë për shoqëritë që respektojnë të drejtat universale të njeriut, themelet e lirisë dhe që refuzojnë pikëpamjen e korruptuar të çdo forme besimi që mund të përhapet në çdo qytet, nga Parisi në Baga, duke kërcënuar jetën, paqen dhe të ardhmen” shtoi kryeministri shqiptar. Sipas tij masat që duhet të merren janë komplekse dhe përfshijnë bashkëpunim më të madh midis aktorëve, nga feja, në ato të sigurisë, duke harmonizuar hapa në fusha të ndryshme, nga ekonomia e deri tek arsimi. Feja, në qasjen e Kryeministrit, mund të luajë një rol thelbësor për bashkuar njerëzit përtej dasive dhe të ndërtojë ura të mëdha dhe solide midis komuniteteve të besimeve të ndryshme. E në një nga këto ura, tha Kryeministri, mund të skalisim vargjet e Naim Frashërit: “Njeriu është tempulli ynë”.