KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Fitorja në Kolonjë, borxh i qeverisë
Rama : Fitorja në Kolonjë, borxh i qeverisë

Rama : Fitorja në Kolonjë, borxh i qeverisë

Fitorja e parashikuar e kandidatit socialist Ilia Stefo si kreu i ri i Bashkisë së Kolonjës ka çuar sërish në këtë qytet kryeministrin Edi Rama. Duke falenderuar përkrahësit entuziastë zoti Rama tha se kjo fitore tashë është një borxh. “Fitorja është e bukur në zgjedhje vetëm kur numërohen kutitë, pastaj kur numërimi mbaron dhe ke fituar, fillon borxhi. Dhe borxhi ndaj Kolonjës është shumë i madh, pasi braktisja që qeverisja i ka bërë Kolonjës në vite ka hapur shumë plagë këtu, por pas zgjedhjeve të së dielës jemi akoma më shumë borxhlinj” tha kryeministri socialist. Premtimi i parë i zotit Rama pas kësaj fitoreje ishte se “Rrugën do ta mbarojmë njëherë e më parë, në mënyrë që lidhja e Kolonjës me Korçën të bëhet e shpejtë dhe e thjeshtë”.
Ashtu si në disa prej takimeve të fundit kreu socialist dhe kryeministri Rama ka rezervuar edhe mesazhe edhe opozitës. “Më vjen keq që ata që ishin përballë nesh e morën këtë mundim, por ajo që dua t’u them është se herës tjetër do t’i mundim edhe më thellë” tha ai duke shtuar se “Shitësit e broçkullave e morën edhe një mësim tjetër dhe në qershor do të marrin një mësim edhe më të madh”.
Në zgjedhjet e së djelës pavarësisht pjesmarrjes në nivelin e 50 përqind të votuesve, koalicioni i majtë ka marrë mbi 2010 vota më shumë se koalicioni i djathtë duke shënuar një rritje prej 1.400 votash nga zgjedhjet e fundit, duke treguar besim tek fituesi.  Vetë mjeku Ilia Stefo premtoi se “Do të bëjmë punë shumë të mira. Le t’i përvishemi punës që Kolonja të marrë shkëlqimin që i ka munguar” tha ai.