KRYEFAQJA » LAJME » Rama fton Bashën për dialog, PD vazhdon bllokimin e parlamentit
Rama fton Bashën për dialog, PD vazhdon bllokimin e parlamentit

Rama fton Bashën për dialog, PD vazhdon bllokimin e parlamentit

Kryeministri socialist Edi Rama i ka drejtuar ftesë publike kreut të opozitës Lulzim Basha të ulen sëbashku në një dialog politik për tu dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve midis tyre. Zoti Rama e bëri deklaratën në konferencen e përbashkët për shtyp me komisionerin Johanes Hanh, nga i cili duket si kishte dëgjuar fjalë të mira në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë mbi përparësitë kyçe të reformave. “Ftoj publikisht PD dhe lidershipin e saj të ulemi në një tryezë të dialogut të lartë politik mes nesh pa praninë e çmuar të miqve dhe jemi gati ta dëgjojmë me vëmendje dhe me respekt të PD” tha zoti Rama. “Besoj se ekziston mundësia që të biem dakord që mosdakordësitë tona ti trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Ekziston mundësia ti ndajmë axhendat partiake apo reformat legjitime të një shumice që qeveris nga axhenda kombëtare” tha lideri socialist njëherësh kryeministri i vendit. Zoti Rama tha se “Konfirmuam nga ana jonë vullnetin e palëkunduar për të realizuar reformat me bindjen se nuk është dhimbja, sakfricikat një detyrim që ia kemi Brukselit por fëmijëve tanë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Konfirmuam angazhimin për reformën e thellë të drejtësisë, si një reformë kyçe, që në raport me Brukselin do krijojë kushtet për të çelur negociatat por dhe për të ndërtuar një sistem të denjë drejtësie”.
Vetë komisioneri Johanes Hahn ishte i drejtëpërdrejtë me të dy palët kur tha se “Na duhen vendime shumë shpejt për reformën në drejtësi. Eshtë vendimtare miratimi i reformës që ne më pas të vijojmë punën me udhërrëfyesin”, ndërsa ftoi opozitën për të hedhur sikurse tha ai “hapin në kilometrin e fundit të këtij procesi”.
Më parë zoti Hahn ishte takuar me kreun e shtetit presidentin Nishani dhe atë opozitës Basha. Ky i fundit deklaroi pas takimit se “Edi Rama i ka vënë tritolin demokracisë, drejtësisë së pavarur”. Në një zhvillim të fundit, zoti Basha ka mbledhur grupin parlamentar, i cili duket se ka lënë në fuqi vendimin për bllokimin e parlamentit, deri në dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandateve të deputetëve socialist Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, të cilët opozita i ka akuzuar për përfitime nga fondet buxhetore në kohën kur kanë qenë deputetë.