KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Fund epokës së arsimit si biznes
Rama: Fund epokës së arsimit si biznes

Rama: Fund epokës së arsimit si biznes

Qeveria shqiptare ka hedhur një hap tjetër të rëndësishëm në reformën e arsimit të lartë. Ajo ka firmosur marrëveshjen me Agjencinë Britanike të Cilësisë për akreditimin e Universiteteve. Kryeministri socialist Edi Rama tha se me këtë hap qeveria e tij do t’i japi fund fund të epokës të arsimit si biznes.”Vazhdon të ketë ende, Shqipëria, njerëz që kanë edhe titujt, që e sulmojnë reformën tonë për faktin e thjeshtë se ne vendosëm parakushtin e adresimit të nevojës për cilësi, në mënyrë krejtësisht të barabartë, jo diskriminuese, në arsimin publik të financuar nga shteti dhe në arsim publik të financuar nga privati” tha zoti Rama. Sipas tij “Është haluçinante që vazhdon bëhet ky debat, që vazhdon një përpjekje, fatmirësisht sa mediokre, aq edhe në minorancë, për të bërë një dallim diskriminues midis sistemit të Arsimit të Lartë që financohet nga shteti dhe atij që financohet nga privati”.
Edhe një herë kreu i qeverisë përsëriti arsyet që e çuan në mbylljen e 18 universiteteve publike dhe private. “Arsimi është parë si biznes ku vendi kishte numrin më të lartë të Universiteteve se Britania për banorë ” tha zoti Rama. Ai shprehu keqardhjen dhe revoltën që qytetarët shqiptare kanë paguar miliona euro për të mbajtur atë që ai e cilësoi “piramida e arsimit të lartë”. “Sistem që dha 32 mijë diploma nga pjesa private, gjysmën e të cilave, 16 mijë, nga një universitet i vetëm dhe u mori prindërve shqiptarë 148 milionë euro, duke arritur të japë rreth 900 diploma për të huaj, pavarësisht se nuk kishte asnjë leksion në gjuhë të huaj” tha ai.
Edhe ambasadori britanik në Shqipëri, Nicolas Cannon, e konsideroi këtë marrëveshje si fundin e mashtirmit në sektorin e arsimit në Shqipëri.
Akreditimi zyrtarisht nis që në 1 mars dhe raportet pritet të publikohen në muajin qershor për Universitetet që garantojnë cilësi më të mirë studimi.