KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Hapja e negociatave kalon nëpërmjet reformës në drejtësi
Rama: Masa lehtësuese për 85 për 85 për qind të biznesit shqiptar

Rama: Hapja e negociatave kalon nëpërmjet reformës në drejtësi

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se mbyllja pa humbur kohë e reformës në drejtësi, do të hapë shumë shpejt rrugën për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Deklaratën e tij zoti Rama e bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin, pas publikimit të progres-raportit të KE-së. “Për ne është e qartë dhe ky progres-raport e konfirmon se rruga për hapjen e negociatave kalon nëpërmjet reformës në drejtësi, e cila mbetet sfida më e madhe e shoqërisë shqiptare dhe e shtetit tonë në rrugën e anëtarësimit evropian” tha zoti Rama. Sipas tij progres-raporti rekomandon në mënyrë prioritare përfundimin në kohë të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, cka do të thotë “nëse reforma në drejtësi do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke e adresuar fuqimisht në muajt në vijim, atëherë rruga jonë për negociata është e hapur”. Nga ana tjetër në progres-raport është e qartë se kjo lidhet ngushtësisht me konsolidimin e rezultateve ku theks të vaçantë kanë hetimet dhe ndëshkimet, pra i gjithë zinxhiri i pushtetit gjyqësor në Shqipëri. “Përsa na takon as këtë reformë dhe asnjë nga reformat që kemi ndërmarrë nuk e shohim si detyrë që na e ka vënë Brukseli, por si detyrë e shtruar para nesh nga fëmijët tanë, nga gjenerata tjetër të cilës nuk mund t’i trashëgojmë një pushtet të kalbur gjyqësor”, deklaroi Rama.
Kryeministri është ndalur tek reformat e ndërmarra nga qeveria që ai drejton, duke theksuar se “Vendosmëria për të çuar ato reforma është zgjedhja jonë, dhe jo imponim i Brukselit apo dikujt tjetër”.
Deklarimet e zotit Rama u mbështetën edhe nga ambasadorja e BE Vlahutin. “Nëse kjo reformë bëhet ashtu siç duhet ju mund ta imagjinoni vetë se cili do të jetë hapi tjetër” tha ajo, duke shtuar se “Miratimi i suksesshëm i reformës në gjyqësor është kyçe për çeljen e negociatave”.