KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për industrinë e përpunimit të mbetjeve
Rama të martën në mbrëmje në "Skai"

Rama: Hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për industrinë e përpunimit të mbetjeve

Situata e mbetjeve në Shqipëri duhet disiplinuar me ligj gjithpërfshirës dhe kjo është ajo që parashikon ligji i fundit. Kryeministri Rama në një takim me kryetarët e bashkive në vend dhe përfaqësues të biznesit të përpunimit të mbetjeve, ka këmbëngulur në kuptimin e drejtë të zgjidhjeve që ofron ligji i miratuar për gjithë spektrin e një territori të pastër dhe me industri përpunimi të mbetjeve në vend. “Ajo që thuhet rëndom në këtë debat se po vinë në Shqipëri plehrat e botës është një marrëzi. Ne kemi hapur rrugën që edhe Shqipëria me industrinë e saj të riciklimit të futet në një proçes të cilin BE për vetëveten e konsideron kyç të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social” tha ai. “Ajo që kemi bërë në gjithë këtë periudhë, është që sot 80 përqind e territort të Shqipërisë është e mbuluar me investime që garantojnë kalimin nga kthimi i lumenjve në fusha plehrash,  në një fazë ku fushat sanitare janë në dispozicion të Bashkive. Këtu shoqëria civile ka rol të madh për të luajtur në rritjen e ndjeshmërisë së qytetarëve ” shtoi kryeministri.

Lidhur me kundërshtarët e ligjit zoti Rama tha se “Ne jemi në gjendje të mirëkuptojmë çdo kënd që është sinqerisht refuzues ndaj këtij ligji të ri dhe ndaj këtij proçesi deri në momentin kur ka vullnet për të dëgjuar, informuar, për të kuptuar të vërtetën. Edhe me atë pjesë të shoqërisë civile që është e ekzaltuar verbërisht për t’iu kundërvënë pa argumenta, pa fakte, po informacion, pa asnjë lidhje me proçeset normale që zhvillohen brenda hapësirës europiane, ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe ballafaqohemi në fushën e të vërtetave” tha kryeministri Rama.

Kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu fillimin e zbatimit të ligjit me hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, por dhe respektimit të asaj që vetë ligji përcakton për ministrin e mjedisit dhe pushtetin vendor. “Në programin e vitit të ardhshëm të rilindjes urbane do të përfshijmë edhe  zërin e administrimit të mbetjeve në Bashki. Përfshirja e këtij zëri do të jetë një stimul që Bashkitë të bëjnë projekte serioze” tha zoti Rama.

Ministri i mjedisit Lefter Koka ka siguruar nga ana e tij që do ti përmbahet ligjit në kushtet kur zgjidhjet duhet të jenë të shumanshme nga një situatë e trashëguar 25 vjeçare.