KRYEFAQJA » LAJME » Rama: HEC-et e Valbonës nuk do cënojnë peisazhin, por të premten atje do protestohet
Rama: HEC-et e Valbonës nuk do cënojnë peisazhin, por të premten atje do protestohet

Rama: HEC-et e Valbonës nuk do cënojnë peisazhin, por të premten atje do protestohet

Kryeministri Edi Rama, duket se është munduar të qetësojë të gjithë kundërshtarët e ndërtimeve të HEC-eve në zonën e Valbonës, një nga zonat më të bukura turistike në Alpet shqiptare. “Në Valbonë do të ketë vetëm 2 HEC-e ndërsa për 9 të tjera nuk është dhënë drita jeshile” tha ai të enjten në seancën e përjavshme parlamentare. “Po ju sqaroj se kemi mbajtur rigorozisht në vëmëndje dhe procedurën për Valbonën dhe dy HEC-e, vetëm dy, jo 11, kanë marrë dritën jeshile për shkak pamundësie të plotë ligjore për të bërë anulimin” tha ai. Sipas zotit Rama HEC-et janë kaluar në filtra njëri pas tjetrit për të garantuar me ekspertizë ndërkombëtare standarde mjedisore dhe cilësi projektimi inxhinierik të njëjtë me ata që vazhdojnë të ndërtohen në Evropën e Veriut. ” Për publikun, kur dëgjoni hidrocentrale në Valbonë lidhur me këto dy projekte sepse 9 të tjerave nuk u është dhënë drita jeshile, mos parafytyroni diga. Nuk do të ndërtohen diga. Nuk do ndërtohen strukturat që secili i imagjinon kur flitet për një hidrocentral sepse teknologjia e përdorur është krejt tjetër, dhe peisazhi është krejtësisht i pacënuar. Vetëm dy nga 15 janë dy kulla tradicionale të asaj zone” tha kryeministri socialist.
Por kundërshtarët e ndërtimit të HEC-eve në Valbonë, janë të vendosur në rrugën e tyre. Eda Zari dhe Elina Duni, dy artiste shqiptare të suksesshme në Europë, me artin e tyre protestojnë nën sloganin “Mos ma prek Valbonën”. Më 28 tetor ato do të jenë në koncert në Valbonë me protestën e tyre tejet të veçantë.