KRYEFAQJA » LAJME » Rama i vendosur për ndërtimin e “Arena Kombëtare”
PD: Duam spjegime për "Arenën Kombëtare"

Rama i vendosur për ndërtimin e “Arena Kombëtare”

Kryeministri socialist Edi Rama shprehu vendosmërinë e tij për ndërtimin e Stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, përkundër kritikave të kundërshtarëve politikë dhe disa specialistëve. Duke prezantuar këtë projekt gjatë mbledhjes së KKT, zoti Rama tha se “kemi marrë mbështetje për projektin për stadiumin” duke shtuar se “Të gjithë njerëzit e futbollit stadiumin e duan aty ku është”.
Ai foli me keqardhje për situatën ku gjendet Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. “Stadiumi sot në këtë gjendje është një qendër e mjeruar tregtare. Stadiumi është një turp në mes të kryqytetit dhe turp potencial për vendin tonë” tha ai.
Ndërsa duke ju referuar stadiumit të ri që do të ndërtohet mbi stadiumin e vjetër, zoti Rama foli për një koncept të ri. “Stadiumet sot nuk ndërtohen më vetëm për futboll” tha ai, duke shtuar se “Nuk ka një projekt arkitektonik të mundshëm që të ketë konsensus. Është jo e udhës që projekti i stadiumit të kundërshtohet pa e parë”, tha kryeministrin Rama.
Duke ju përgjigjur kritikëve lidhur me kullën që parashikohet të ndërtohet ai tha se “Stadiumet me kullë nuk janë shpikje e kësaj kohe dhe nuk është shpikje e arkitektëve italianë. Do të isha i lumtur sikur të bënim ne të parën kullë, pavarësisht gjithë baltës dhe keqkuptimeve. Por nuk është e para. Kullat dhe stadiumi kanë bashkëjetuar qysh në vitet e para të shekullit të kaluar. Mjafton të shohësh “Olimpia Stadion”, stadiumin aktual të Firences me kullën e vjetër të ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, plot e plot stadiume të gjeneratës së fundit që kanë kullën si element” dha më shumë hollësi kryeministri Rama.
Një moment i rëndësishëm i prezantimit të projektit ishte dhe financimi. “Stadiumi sot vlerësohet 50 mln euro dhe punimet me siguri mund të kërkojnë edhe financim shtesë. Nga kush i prisni ju që të ndërtojë stadiumin?! Nga qeveria?! Buxheti?! Asnjëherë! E pamundur! Nga federata? E pamundur. E vetmja mundësi është ajo që i drejtohen qeveri shumë më të pasura se e jona, partneriteti publik privat” u tha zoti Rama të pranishmëve.
Kryeministri shtoi se projekti ka marrë vlerësimin maksimal nga UEFA dhe personalitete të tjera të futbollit europian dhe botëror. Projekti i stadiumit të ri “Arena Kombëtare” parashikon një kapacitet prej 22.000 vendësh dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Godina do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi dhe lehtësi të tjera, ndërsa 4000 metra katrorë do të jetë një sipërfaqe në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj.