KRYEFAQJA » LAJME » Rama inaguron “Loro Boriçin”
Rama inaguron "Loro Boriçin"

Rama inaguron “Loro Boriçin”

Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër, ka pritur të mërkurën sportdashës të shumtë, duke shënuar edhe inagurimin e tij pas rindërtimit. Kjo vepër e rëndësishme e futbollit shqiptar, u mbështet nga qeveria dhe personalisht nga kryeministri Edi Rama si një prioritet edhe në kushtet e mungesës së stadiumit kombëtar të futbollit. Projekti është hartuar nga arkitektit me emër, Peter Wilson dhe mbi rrënojën e dikurshme është ngritur një stadium modern, i certifikuar nga UEFA për të gjitha kategoritë e ndeshjeve. I pranishëm në inagurim, kryeministri Rama tha se stadiumi i ri “Është vërtetë një vepër nga ato që s’ka nevojë për fjalë. Fjalët janë të tepërta dhe fjalët e tepërta mund t’i bëjnë vetëm ato që bëjnë vetëm fjalë”. “Unë besoj që ky stadium është absolutisht një standard tërësisht i ri dhe jam i bindur që ky qytet për traditën e vet, për historinë e vet, për pasionin e vet, për sportin dhe për futbollin e ka merituar prej kohësh” shtoi më tej ai.
Stadiumi ka kapacitet mbi 16 mijë vende, pistë atletike e standardeve olimpike me 8 korsi, ambiente për mjekët dhe antidopingun, ndërsa hyrja e sportdashësve është e automatizuar. Brenda stadiumit gjenden edhe ambiente për stërvitje të disiplina të tjera sportive, si atletika, mundja, boksi, ping-pongu etj. Kryeministri Rama gjeti rastin të flasi edhe për shtëpinë e re të kombëtares shqiptare e cila po ndërtohet mbi rrënojat e ish stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. “Ashtu sikundër ju siguroj që nëse ky stadium është një spektakël, Arena Kombëtare do të jetë një super spektakël” tha kryeministri Rama.
Inagurimi i “Loro Boriçit” u bë me takimin miqësor Shqipëri- Marok, e cila përfundoi në barazim 0-0 . Ndërsa pas pak ditësh do të luhet takimi i parë në grupin G për eleminatoret e botërorit “Rusia 2018” midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.