KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: “Nuk ka nevojë të shkrepni armën e nacionalizimit, por merrni kuponin tatimor…”
Rama: "Nuk ka nevojë të shkrepni armën e nacionalizimit, por merrni kuponin tatimor..."

Rama: “Nuk ka nevojë të shkrepni armën e nacionalizimit, por merrni kuponin tatimor…”

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar edhe më tej deklaratat e tij kundër informalitetit. Në ditën e parë të nisjes së operacionit të paralajmëruar në të gjithë vendin zoti Rama quajti një “luftë” në territorin e zhvillimit ekonomik e tregtar. Deklaratat e tij gjatë një takimi me ministrat, drejtues të tatimeve dhe doganave, në fakt u drejtoheshin të gjithëve, “patriotëve”  që marrin kuponin tatimor dhe “tradhtarëve” që abuzojnë me detyrën. “Të këndosh këngën e flamurit e të mos paguash taksat është shfaqja më kuptimplotë e hipokrizisë ndaj vendit tënd. Prandaj nëse i them sot qytetarëve të këtij vendi se kur refuzoni të paguani një mall apo një shërbim pa e marrë kuponin tatimor, ju bëheni pjesë në një përpjekje patriotike, sepse refuzoni hajdutërinë, që e pengon vendin tonë në rrugën e civilizimit të mëtejshëm. Refuzoni mënyrën e trishtueshme të të jetuarit prej vitesh duke ja hedhur njëri-tjetrit, sepse ky vend nuk bëhet, s’na mbetet gjë tjetër vetëm t’ja fusim njëri-tjetrit dhe pastaj shohim. Refuzoni inercinë e të shkuarit përpara duke dëmtuar të ardhmen e vendit, familjes e fëmijëve tuaj” tha kryeministri. “Jeni në llogore dhe nuk ka nevojë të shkrepni armën e nacionalizimit, por merrni kuponin tatimor dhe mos paguani pa e marrë kuponin tatimor” këmbënguli kreu i qeverisë shqiptare. Kryeministri Rama shprehu bindjen se gjithçka po ecën në drejtimin e duhur, por duhet ende punë. “Ka nisur të vijë era shtet, por për një shtet që meritojnë fëmijët tanë duhet ende punë dhe pjesë shumë e rëndësishme është operacioni që nisim sot. Një operacion në mbrojtje të konsumatorit dhe në krah të sipërmarrësve që paguajnë taksat dhe kundër zinxhirit  të hajdutërisë që shkencërisht quhet informalitet, por shqip quhet hajdutëri” tha ai.