KRYEFAQJA » LAJME » Rama: “Kjo qeveri nuk e ka tradhtuar 21 janarin”
Rama: "Kjo qeveri nuk e ka tradhtuar 21 janarin"

Rama: “Kjo qeveri nuk e ka tradhtuar 21 janarin”

Pesë vjet pas ngjarjes së 21 janarit të vitit 2011, ku gjatë një proteste antiqeveritare të opozitës së majtë të asaj kohe para selisë së qeverisë, katër persona humbën jetën, kryeministri socialist Edi Rama ka sulmuar ashpër drejtësinë shqiptare. Zoti Rama i cili dy vjet e gjysëm më parë erdhi në pushtet me premtin se do të zbardhte ngjarjen dhe do të vinte fajtorët në bankën e drejtësisë tha se “Çdo njëri nga anëtarët e Gjykatës së Lartë që qysh prej 2013 mban të varrosur dosjen e 21 Janarit është sot i akuzuar si fajtor për vuajtjen tuaj 5 vjecare në kërkim të drejtësisë ”.
Zoti Rama e bëri këtë deklaratë para familjarëve të viktimave të 21 Janarit të cilët ai i priti në selinë e qeverisë. “Fakti rënqethës se dosja e 21 Janarit është e vetmja dosje e mbetur e pagjykuar nga viti 2013 në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka kohë që ka nisur punën me dosjet e 2014, del dhe tepëron për të kuptuar se kush e ka kapur për fyti drejtësinë shqiptare” tha zoti Rama. Duke kujtuar sentencën e njohur se “drejtësia vonon, por nuk harron” kryeministri socialist tha se “Mund të varroset dosja në varrezën ku Gjykata e Lartë e ka zakon të vjetër të mbulojë me dheun e frikës së anëtarëve të saj patatet e nxehta që përvëlojnë duart e gjykatësve të tmerruar nga hija e tyre. Por nuk mund të tretet si trupat e 4 të vrarëve, nevoja therrëse e drejtësisë për 21 janarin. Kurrë!”
Zoti Rama pranoi atë që ai e quajti “revoltë prej pandëshkueshmërisë” ndërsa tha. “Por, sot nuk jam kokëulur para jush dhe nuk do të shkoj kokëulur bashkë me ju, as përpara përmendoreve të shtrira në bulevard, pikërisht sespe nuk e kam trdhëtuar 21 janarin. Kjo qeveri nuk e ka tradhtuar 21 janarin”. “Kemi punuar çdo ditë me përkushtim atdhetar duke hapur një kantierë ndërtimi reformash për të rilindur Shqipërinë e rrënuar nga autorët e 21 janarit” këmbënguli kryeministri Edi Rama duke akuzuar ish qeverinë Berisha. Ai deklaroi se “Nuk do lejoj që PS të tradhëtojë reformën në drejtësi” duke nënvizuar se “E konsideroj gur themeli për moralin e qeverisjes sonë”.