KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Koalicioni PS- LSI ka ndërmarrë reforma që nuk janë bërë për 20 vite

Rama: Koalicioni PS- LSI ka ndërmarrë reforma që nuk janë bërë për 20 vite

Koalicioni PS- LSI ka ndërmarrë reforma që nuk janë bërë për 20 vite, dhe shumë shpejt do të ulemi për zgjedhjet e ardhshme, i tha TVSH kryeministri Edi Rama. Me zotin Rama bisedoi gazetarja Denada Shkodrani.

Zoti Rama, ka mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Si e vlerëson Partia Socialiste bashkëpunimin e deritanishëm me Lëvizjen Socialiste për Integrim? A është e gatshme ajo që edhe mandatin tjetër të vazhdojë ky koalicion?

Ka shumë kritika, rezerva, ankesa, në rutinën e përditshmë për funksionimin e koalicionit, etj-etj. Por nëse do të merrnim pak distancë dhe do të shikonim të gjithë panoramën e këtyre tre viteve të para të bashkëpunimit tonë, do të shikonim që ky koalicion dhe kjo shumicë qeverisëse ka bërë reforma që nuk janë bërë për 20 e kusur vite dhe ka siguruar ecjen hap pas hapi në këtë rrugë reformash me probleme minimale, në kuptimin e kompaktësisë. Dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Pra, ka shumë gjëra për të përmirësuar në funksionimin e përditshëm të koalicionit, por ka një gjë të rëndësishmë për të vlerësuar për këtë koalicion, që është kapacitetit për te garantuar një program serioz reformash shumë të thella qe hap pas hapi do na japin rezultate të dëshiruara dhe do e bëjnë koalicionin të vlerësohet pozitivisht përtej problematikave që, sigurisht janë e kërkojnë adresim. Përsa i përket mandatit të ardhshëm, unë e kam thënë e do e përsëris që është koha dhe shumë shpejt ne do të ulemi për të diskutuar në mënyrë të hapur, gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me bilancin e deritanishëm, lidhur me sfidat e kësaj faze të fundit të mandatit dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme për të patur qartësi të plotë, jo vetëm mes nesh, por dhe me publikun mbi ecurinë e mëtejshme, për të mos konusmuar energjitë e njerëzve me gjëagjëza që mund t’iu vlejnë vetëm atyreve që jetojnë përditë me krijimtarinë e botës së informacionit, por nuk u vlejnë të tjerëve.

Do jetë i afërt ky takim zoti Rama?

Është koha dhe ne po presim për këtë.