KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza
Rama mbron ligjin e mbetjeve: Zhurmë për përfitime politike

Rama: Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza

“Një thikë që ngulet pabesisht në tru njerëzve”, e ka quajtur kryeministri Rama në faqen e tij në Facebook zhurmën e krijuar për importin e mbetjeve. Sipas tij, një zhurmë e orkestruar e atyre që duan të nxjerrin përfitime politike, duke trembur njerëzit dhe e atyre që nuk duan të dëgjojnë po vetëm të flasin. “Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza, po është vetëm një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për të normalizuar situatën ligjore në lidhje me riciklimin e mbetjeve të listës së gjelbërt të Bashkimit Europian; për të fuqizuar industrinë e lehtë të riciklimit me qëllim rritjen e përpunimit edhe të mbetjeve të vendit”, shkruan Rama, duke ftuar shqiptarët që të dëgjojnë mirë faktin se “Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër, e se jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë” shkruan ai. “Të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit!, përfundon komenti i Kryeministrit, i cili ka postuar edhe një foto me të vetmet artikuj që importohen e që kanë impakt zero në mjedis si: Letra, Plastika, Alumini, Mbetje Druri.

Ndërsa pyetjes së një komentueseje, se nëse është një biznes kaq fitimprurës për ekonominë, si shpjegohet bujaria e të huajve që i dhurojnë Shqipërisë mbetjet e tyre, kryeministri Rama i përgjigjet me këtë shpjegim: “Në Shqipëri është ende tmerrësisht e vështirë mbledhja e mbetjeve si në çdo vend normal, sepse s’kemi proces ndarjeje në burim, dmth në koshat e mbeturinave dhe industria jonë e lehtë ricikluese e ka të pamundur të mbijetojë, duke rrezikuar falimentimin! E ligje të tilla i ka edhe Kosova, rajoni e Bashkimi Europian po e po!” shkruan zoti Rama.